Grenelli mbetet i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi

Aktuale

Grenelli mbetet i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi

Më: 25 maj 2020 Në ora: 10:09
Grenell

Richard Grenell do të vazhdojë të jetë i dërguari i posaçëm amerikan për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë në një përgjigje për radion “Evropa e Lirë” zëdhënësi i tij, Dick Custin.

“Ambasadori Grenell mezi pret që të ndodhin diskutimet e radhës në kuadër të dialogut, sapo të vendoset përbërja e re e qeverisë”, ka thënë Custini.

Më herët agjencia gjermane DPA raportoi se Richard Grenell po planifikon të dorëhiqet nga pozita e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Gjermani.

Ky lajm vjen disa ditë pasi Senati amerikan konfirmoi John Ratcliffen në postin e drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës. Në muajin shkurt presidenti amerikan, Donald Trump, emëroi ambasadorin Grenell ushtrues detyre të shefit të kësaj agjencie.

Nën ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell Kosova dhe Serbia janë pajtuar në parim për vendosjen e linjës direkte ajrore Prishtinë – Beograd, si dhe për hapjen e linjave hekurudhore dhe të autostradave, që do t’i lidhnin jo vetëm këto dy vende, por edhe rajonin me BE-në.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka ngecur që nga nëntori i vitit 2018, kur qeveria e mëparshme e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi një taksë 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia dhe nga Bosnjë dhe Hercegovina.

Qeveria e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, e hoqi taksën në muajin prill, por vendosi masë reciprociteti. Vendimi u mirëprit nga institucionet evropiane dhe nga vendet anëtare të saj, por Shtetet e Bashkuara kërkuan edhe heqjen e masës së reciprocitetit tregtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat