Këshilltari i presidentit thotë se dialogu do ta ketë fatin e vizave, akuzon BE-në për nxitje të ndarjes

Aktuale

Këshilltari i presidentit thotë se dialogu do ta ketë fatin e vizave, akuzon BE-në për nxitje të ndarjes

Nga: G.B Më: 25 maj 2020 Në ora: 16:24
Artan Behrami

Këshilltari i presidentit, Artan Behrami, ka reaguar pas kërkesës së Gjermanisë dhe Francës për të filluar dialogun.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se që nga viti 2009, ato shtete kanë mbajtur të izoluar qytetarët e Kosovës dhe tani kërkojnë dialogun, që duket se do ta ketë fatin e njëjtë me atë të liberalizimit të vizave, përcjell Bota sot.

Behrami ka thënë se ministrat e jashtëm nuk përmendin fare liberalizimin e vizave, as njohjen nga Serbia, asnjë fjalë për ndalimin e ç’njohjeve nga Serbia, duke shtuar se BE po nxitë ndarje, duke mos u koordinuar me SHBA-në.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

Gjermania dhe Franca që nga viti 2009 mbajnë kosovarët të izoluar nga lëvizja e lirë. Një proces, të cilin me shtete tjera e kanë përfunduar ende pa e nisur. Politika evropiane e vizave për Kosovën është duke marrë përmasa raciste, duke e açikuar popullin e Kosovës si ‘parashoqëri primitive’ përball ‘shoqërive moderne’ evropiane.

Përmes një OpEd-i, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës paralajmërojnë një proces të dialogut Kosovë-Serbi, që duket se fatin do ta ketë të njëjtë me këtë të liberalizmit të vizave. Një rrugëtim i gjatë me një shkëndijë të pasosur në fund të territ izolues, që largësia e saj mund të matet vetëm vite të dritës!

Ministrat e Jashtëm gjermano-francez nuk përmendin fare liberalizimin e vizave, as njohjen nga Serbia, asnjë fjalë për ndalimin e ç’njohjeve nga Serbia dhe mbi të gjitha asnjë afat kur një proces i tillë mund të përfundojë!

Në kohën e thyerjeve të mëdha globale ndërmjet Amerikës dhe Kinës, BE-ja në vend që të kërkojë unitet euroatlantik, ajo po nxitë ndarje, përmes proceseve paralele dhe të pakoordinuara me SHBA-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat