Onkologu Kurteshi rrëfen se si dy të prekur me kancer ia dolën me koronavirusin

Aktuale

Onkologu Kurteshi rrëfen se si dy të prekur me kancer ia dolën me koronavirusin

Më: 26 maj 2020 Në ora: 00:19
Foto ilustrim

Drejtori i Klinikës Onkololgjike, Ilir Kurteshi, ka rrëfyer në Interaktiv të KTV-së edhe historinë e dy pacientëve me kancer që ia dolën të mposhtin koronavirusin.

Ai tha se për njërin kishte brengë të madhe se nuk do t’ia dilte me COVID-19, por për dy javë e tejkaloi atë.

“Njëri ka qenë në vetizolim, ka marr trajtim simptomatik dhe brenda 10 ditëve – dy jave ka dalë negativ. Për disa ditë ka marrë edhe antibiotik. Pacienti tjetër, për të cilin kemi pasur brengë, ka kancer të mushkërive, në të dy anët, në stadin e katërt të sëmundjes. Ai për disa ditë ka qenë në Klinikën Infektive, është trajtuar, por brenda dy jave, së bashku me familjarin tjetër i cili ishte burim i infeksionit, është shëruar”, ka thënë Kurteshi.

Ai ka treguar se gjatë kohës së pandemisë, në Klilnikën e Onkologjisë janë zbatuar në përpikëri rregullat e IKSHPK-së për mbrojtje.

“Secili pacient ka qene i mbrojtur me maskë, natyrisht edhe personeli ka qenë i mbrojtur, me maska e syze, ka pasur sasi të mjaftueshme edhe të dezinfektuesve. Personeli në mënyrë strikte është kujdesur që të zbatohen këto rregulla. Po ashtu, pacientët kanë qenë korrekt, nëse kanë pasur temperaturë apo ndonjë simptomë tjetër, nuk janë lajmëruar në Onkologji, por fillimisht në mjekësi familjare. Pra kemi pas një mënyrë rigoroze të zbatimit të masave. I kemi ndarë shtretërit në 1.5 deri në 2 metra distancë, ka pasur ajrosje në çdo kohë dhe dezinfektimi. Gjitha këto kanë bërë që të kemi këto rezultate”, ka thënë ai.

Kurtishi ka folur edhe për virusin që po vjen duke u zbutur. Ka thënë se në Kosovë është krijuar një imunitet natyral për shkak të disa sëmundjeve që sot në Evropë nuk hasen, si për shembull tuberkulozi.

“Po shpresojmë që virulenca do të bie”, tha Kurteshi në Interaktiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat