Krasniqi: Kosova s’duhet të refuzojë takimet, por të dijë çfarë të kërkojë në to

Aktuale

Krasniqi: Kosova s’duhet të refuzojë takimet, por të dijë çfarë të kërkojë në to

Më: 28 maj 2020 Në ora: 00:36
Jeta Krasniqi

Sipas Jeta Krasniqit nga KDI-ja, Kosova nuk duhet të refuzojë të marrë pjesë në takimet ku ftohet nga ndërkombëtarët për ndërmjetësim të dialogut me Serbinë. Ajo ka thënë se Kosova duhet të marrë pjesë në takime, por duke ditur se çfarë kërkon aty.

Duke komentuar deklarimet e presidentit Hashim Thaçi se s’do të shkojë në tavolinën e dialogut me Serbinë nën udhëheqjen e Mirosllav Lajçakut nga Sllovakia si përfaqësues i BE-së, Krasniqi ka thënë se duke i refuzuar takimet, nuk mund të evitohen ato.

“Kur s’ka qëndrim unik të 27 vendeve të BE-së, përfaqësuesi i lartë s’mund të mbajë qëndrim. Tani kemi Lajçakun që s’mund të flasë pa pasur miratimin nga 27 vendet. Ne nuk duhet si Kosovë të refuzojmë takime, por duhet të dimë çfarë të kërkojmë në këto takime. Të nxjerrim më të mirën e mundshme. Duke refuzuar takimet, nuk evitohen ato. Lajçaku është caktuar aty e s’mund të ketë ndryshim për nominim të tij”, ka deklaruar Krasniqi.

E ka quajtur kaos politikën e jashtme të Kosovës, teksa ka thënë se ajo është reflektim i asaj të brendshme. Krasniqi ka thënë se Kosova duhet të flasë

“Mund të ketë nisje të dialogut në momentin kur ta kalojmë këtë krizë politike, nga ana tjetër ka edhe zgjedhje në Serbi dhe duhet pritur procesi të kryhet. Në momentin që dy shtetet dalin nga këto procese, pritet të ketë kthim në dialog. Kemi parë që përpara kemi pasur një afat kohor që ndërlidhej me zgjedhjet në Evropë dhe tani kemi një afat tjetër që ndërlidhet me zgjedhjet në SHBA për shkak të rolit të këtij vendi. Kemi mbështetjen e Gjermanisë e Francës, por duhet qartësuar gjërat, duhet qartësi brenda Kosovës. Kemi parë se si presidenti flet në emër të vet, kryeministri flet në emër të vet, e do të duhej të flitej me një zë unik. Është e vërtetë që është kaos i vërtetë. Është politikë e jashtme e pakoordinuar që vjen nga politika e brendshme e pakoordinuar. Po reflektojmë politikën e brendshme. Po ndodhin dy procese. Ai që po ndërmjetësohet nga Grenelli ku kishim katër letra për lëvizjen e lirë, por kemi edhe proces që po ndërmjetësohet nga BE-ja nga viti 2011. Duhet të ketë një qartësim. S’mund të ketë dy paralele që flasin për një marrëveshje të vetme. Duhet spektri i brendshëm të punojë me të dy palët. Kur flasim për BE-në duhet të ketë sqarim edhe më tej”, ka thënë ajo.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat