​PDK: Të dhënat e mbi 1 milion qytetarëve u morën nga dhoma e përgjimeve në Telekom - Bota Sot
​PDK: Të dhënat e mbi 1 milion qytetarëve u morën nga dhoma e përgjimeve në Telekom

Aktuale

​PDK: Të dhënat e mbi 1 milion qytetarëve u morën nga dhoma e përgjimeve në Telekom

Më: 28 maj 2020 Në ora: 15:35
Sejdi Hoxha

(E plotësuar) - Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha në një konferencë të jashtëzakonshme për media e ka quajtur skandal ndërhyrjen siç tha ai të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Haki Abazit e Xhelal Sveçlës në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës.

Sipas tij edhe organizimi i protestës nga siç e quajti ai qeveria e territ, është̈ presion direkt ndaj vendimit të ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Hoxha: Qytetarët e Kosovës janë shqetësuar për veprimin e paprecedent

“Qytetarët e Kosovës janë shqetësuar për veprimin e paprecedent, të rrezikshëm, të paligjshëm dhe arbitrar të kryeministrit në largim Albin Kurti, zëvendësit të tij, Haki Abazi dhe Ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçla për hyrjen e tyre të paligjshme në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës në muajin maj të këtij viti.Gjatë kësaj vizite të paligjshme dhe të rrezikshme, është konfirmuar që janë fikur për disa ditë kamerat e sigurisë që monitorojnë dhomën e serverëve të përgjimeve. Dhe nga kjo dyshohet që përmes këtyre zyrtarëve të lartë të qeverisë janë futur persona të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë marrë të gjitha komunikimet, telefonata dhe mesazhet e qytetarëve të Kosovës të ruajtura për 20 vite”, tha ai.

Sipas PDK-së këto veprime paraqesin kërcënim real ndaj 1 milion qytetarëve të Kosovës pasi të gjitha komunikimet private tash janë në duart e pjesëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Hoxha: Ky veprim përbën kërcënim real për çdo familje kosovare

“Sot, fatkeqësisht, të gjitha komunikimet private të mbi 1 milion burrave dhe grave të Kosovës gjatë 20 vjetëve sa operon Vala dhe Telekomi i Kosovës dhe të shumë familjeve, janë tanimë në duart e Lëvizjes Vetëvendosje. Ky veprim përbën kërcënim real për çdo familje kosovare, për çdo qytetar, gazetar, pjesëtar të shoqërisë civile apo biznesmen, të cilët në çdo kohë tani e tutje mund të shantazohen për qëllime të ndryshme”, tha Hoxha.

Deputeti i PDK-së tha se të vetmit persona të autorizuar me ligj për të pasur qasje në këtë dhomë të përgjimeve janë Prokurori i shtetit, i shoqëruar nga zyrtari përgjegjës për komunikim me Prokurorinë brenda Telekomit.

Deputeti i PDK-së, Sejdi hoxha ka kërkuar nga Prokuroria Speciale të fillohej hetimet në këtë drejtim.

Hoxha: Menjëherë të fillojë hetimet penale

“Është urgjente që pas këtij veprimi skandaloz, të paprecedent e të rrezikshëm, organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, konform përgjegjësive ligjore t’i vënë para përgjegjësisë dhe t’i arrestojnë zyrtartët e lartë të Telekomit të Kosovës, anëtarët e Bordit dhe Drejtoreshën Ekzekutive që kanë shkelur ligjin dhe kanë lejuar qasjen e personave të paautorizuar. Po ashtu, ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që menjëherë të fillojë hetimet penale për këtë shkelje flagrante, të pa precedent, e të rrezikshme të Kryeminstrit Kurtit, Zëvendëskryeministrit Abazi dhe Ministrit të brendshëm Sveçla”, tha ai.

Këto akuza gjatë ditës së sotme i ka mohuar kryeministri në detyrë, Albin Kurti i cili këto deklarime i ka quajtur shpifje dhe gënjeshtra.

***

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat