​KMDLNJ kundër protestave të VV-së: Kosova ka nevojë për rimëkëmbje ekonomike

Aktuale

​KMDLNJ kundër protestave të VV-së: Kosova ka nevojë për rimëkëmbje ekonomike

Më: 28 maj 2020 Në ora: 15:47
Ilustrim

KMDLNJ përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj test-protestës së paralajmëruar për ditën e sotme në Prishtinë, duke thënë se vendi në këtë kohë pandemie ka më tepër nevojë për rimëkëmbje ekonomike.

Pasi Policia e Kosovës ka dhënë leje VV të organizojë test-protestë ku parashihet të marrin pjesë 3500-5000 pjesëmarrës e që organizatori i ka shënuar pozicionet e vendosjes me ngjyrë të kuqe, KMDLNJ kërkon nga pjesëmarrësit që pas përfundimit të protestës t’i largojnë këto shenja dhe t’i kthejnë hapësirat në gjendjen e mëparshme.

“Nëse në kohën kur ende jemi nën regjim të pandemisë lejohen tubime ku marrin pjesë me mijëra persona, atëherë nuk ka asnjë kuptim të kufizohen aktivitetet si organizimi i dasmave dhe manifestimeve tjera. KMDLNj ka kundërshtuar dhe do të kundërshtojë çdo përpjekje për zbatim të standardeve të dyfishta , si shkelje flagrante e të drejtave të njeriut e që ka raste edhe në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

KMDLNJ kërkon nga të gjitha palët që të respektojnë vendimin e Kushtetueses për emrin e mandatarit, në të kundërtën do të jenë përgjegjës për përshkallëzim të mundshëm të situatës dhe pasojat eventuale.

Në këtë kontekst KMDLNJ konsideron se është krejtësisht e panevojshme organizimi i çfarëdo proteste në këtë kohë, pasi mund të interpretohet si presion mbi Gjykatën Kushtetuese e që aspak nuk i sjellë dobi politike atyre që janë pas këtyre veprimeve.

KMDLNJ kërkon përmbajtje nga çdo veprim kërcënues dhe shantazhues ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se çdo veprim kundër vendimit të kësaj gjykate do të çojë drejt kaosit dhe pasojave të mëdha për Kosovën dhe qytetarët e saj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat