Analistët për bisedimet Kosovë-Serbi dhe qasjen transatlantike ndaj tyre - Bota Sot
Analistët për bisedimet Kosovë-Serbi dhe qasjen transatlantike ndaj tyre

Aktuale

Analistët për bisedimet Kosovë-Serbi dhe qasjen transatlantike ndaj tyre

Më: 29 maj 2020 Në ora: 06:17
Ilustrim

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shkroi në rrjetet sociale se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor përfshirë Kosovën dhe Serbinë është evropiane, por për ta bërë realitet një ardhmëri të tillë, bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian nuk mund të anashkalohen.

Postimi i zotit Borrell ishte kundërpërgjigje ndaj deklaratës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha të martën se nuk ka vullnet të përfshihet në procesin e negociatave që udhëhiqen nga i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Presidenti Thaçi tha se Kosova duhet të bëjë diferencimin e partnerëve strategjik duke nënvizuar se edhe zoti Borrell edhe zoti Lajçak vijnë nga vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Drejtori i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri, Florian Bieber, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se ky nuk është një qëndrim i drejtë, meqë zoti Lajçak dhe zoti Borrell kanë mandatin e Bashkimit Evropian shumica e vendeve anëtarë të të cilit e kanë njohur Kosovën.

“Ai po e thotë këtë sepse e ka kanalin negociues rezervë që janë negociatat e drejtuara nga amerikanët që aktualisht janë në një drejtim tjetër dhe në një ritëm tjetër nga evropianët”, tha zoti Bieber.

Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, tha se ishte gabim që zoti Lajcak u zgjodh në këtë post.

“Mirëpo arsyeja pse presidenti Thaçi po i kundërvihet tani zotit Lajcak, ndonëse e ka bërë edhe më parë, nuk ka të bëjë me faktin që Sllovakia dhe Spanja nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo është për shkak se zoti Lajcak foli qartazi dhe fuqishëm dhe pa mëdyshje kundër ideve për shkëmbim territoresh”, tha zoti Vogel.

Analistët pohojnë se tërë debatet janë rrjedhojë e brishtësisë së marrëdhënieve transatlantike. Zoti Bieber thotë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet t’u japin fund dallimeve dhe të pajtohen se ato nuk janë të dobishme.

“Natyrisht çështja është mbi çfarë terreni do të pajtohen sepse aktualisht ndërmjetësimi i BE-së dhe Shteteve të Bashkuara mbështetet në parametra të ndryshëm si për shembull me mbështetjen e hapur të ndryshimit të kufijve, diç që Miroslav Lajçak të paktën e ka hedhur poshtë prerazi, sikundër vendet kryesore anëtare posaçërisht Gjermania. Pra tejkalimi i dallimeve kërkon më shumë sesa pajtim ndërmjet dy ndërmjetësuesve, por edhe mirëkuptimin rreth asaj se si mund të duket zgjidhja”, tha zoti Bieber.

Por, diplomatët amerikanë, përfshirë edhe dy të dërguarit e posaçëm për Ballkanin Perëndimor dhe bisedimet Kosovë Serbi, Matthew Palmer dhe Richard Grenell, e kanë hedhur poshtë të kenë biseduar apo të ketë ndonjë plan të fshehtë për ndryshim kufijsh e shkëmbim territoresh dhe se bisedimet ndërmjet të dyja vendeve duhet të çojnë në njohje të ndërsjellë. Ata kanë bërë thirrje që bisedimet të rifillojnë sa më parë që është e mundur.

Gjatë fundjavës, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës, bënë thirrje për rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, por tërhoqën vërejtjen se nuk mund të ketë një rrugë të shkurtër për një marrëveshje të shpejtë ndërmjet palëve. Në një shkrim të përbashkët ata ritheksuan synimet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës.

Matthew Palmer, i dërguar i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, shfaqi shpresën që Kosova dhe Serbia do t’u rikthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre ndërsa theksoi se për këto çështje siç është edhe qëndrimi i Francës dhe Gjermanisë bisedohet gjithë kohën.

“Nuk ka asgjë të befasishme në atë deklaratë. Dhe sinqerisht kushdo që sjell diç konstruktive në tryezë që jep ndihmesë është shumë mirë. Ajo që duam të shohin menjëherë për këtë çështje është që të zgjidhet çështja e formimit të qeverisë në Kosovë që të ketë përfaqësim të zgjedhur që mund të flasë në emër të Kosovës në një mjedis ndërkombëtar dhe në format bisedimesh dhe të shohim nëse mund t’i çojmë Serbinë dhe Kosovë më afër një marrëveshjeje për normalizim”, tha zoti Palmer.

Vëzhguesit në Kosovë thonë ndërkaq se qëndrimi evropian duket sikur një kthim në fillim të bisedimeve të gjata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Po e kuptoj padurimin e shumë njerëzve në Kosovë që nuk duan të përfshihen në një proces tjetër dhjetëvjeçar që nuk ka një fund dhe kjo është e drejtë. Por sinqerisht, jam pesimist se mund të arrihet ndonjë gjë sivjet, me zgjedhjet amerikane përpara, me zgjedhjet serbe që janë gjithnjë një arsyetim i mirë, por edhe për faktin se nuk ka një qeverisje të qartë në Kosovë”, tha zoti Bieber.

Zoti Vogel nuk pret një fillim të shpejtë bisedimesh.

“Më e rëndësishme sesa nëse do të fillojnë javën e ardhshme, muajin e ardhshëm apo pas dy muajsh është kuadri i këtyre bisedimeve. Mendoj se është inkurajuese të shohësh zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare të përfshira në bisedime duke e bërë të qartë se disa nga idetë që janë hedhur gjatë bisedimeve të udhëhequra nga Federica Mogherini nuk çojnë gjëkundi”, tha zoti Vogel.

Bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian u pezulluan që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe. Tashmë këto tarifa janë hequr dhe zëvendësuar me masa të reciprocitetit nga ana e qeverisë së Kosovës por ende mbetet e paqartë se kur do të mund të rifillojnë bisedimet, derisa Serbia është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 21 qershorit, ndërsa Kosova ndodhet në krizë politike që është pasqyruar edhe në debatet ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit tashmë në detyrë Albin Kurti se cila është adresa e bisedimeve me Serbinë./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat