Haki Abazi e quan të rrezikshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese: E sabotuan rezultatin e zgjedhjeve

Aktuale

Haki Abazi e quan të rrezikshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese: E sabotuan rezultatin e zgjedhjeve

Më: 29 maj 2020 Në ora: 09:00
Haki Abazi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka reaguar sërish në lidhje me vendimin e Kushtetueses që i jep të drejtë presidentit për dekretin që mandaton Avdullah Hotin për qeverinë e re.

Abazi në një postim në Facebook ka thënë se sipas këtij vendimi, pavarësisht zgjedhjeve dhe rezultatit të tyre, presidenti ka të drejtë ta mandatojë këdo që ka sabotuar rezultatin e zgjedhjeve.

Haki Abazi madje këtë e ka quajtur precedentin më të rrezikshëm që ka mundur t’i ndodhë Kosovës.

Postimi i plotë:

 

Ajo çfarë po thotë gjykata kushtetuese është se pavarësisht zgjedhjeve, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve, presidenti në një Republikë Parlamentare si kjo e jona paska të drejtë të mandatojë këdo që me qëllim ka sabotuar rezultatin e zgjedhjeve paraprakisht sepse e ka parë mundësinë që të marrë pozitën e kryeministrit. Ky vendim përkrah rrëzimin e qeverisë me fituesin 50 ditë pas formimit- Ky është precedenti më i rrezikshëm që mund të lejojë një vend demokratik.

Gjykata Kushtetuese përmend numrin e votave të mocionit- “harron” që aty janë 20 vota minoritare që nuk kalojnë fare në sistemin e votimit dhe janë së paku 20 të tjerë të inkriminuar e të “favorizuar” /kushtëzuar se si duhet votuar.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë në mënyrë tinëzare, në mbrëmje vonë ka shembur rendin kushtetues, duke përkrahur shëmbjen e rendit demokratik dhe vullnetin qytetarë.

Argumentimi dhe arsyetimi i vendimit është politik dhe antidemokratik dhe asnjëherë ligjor e kushtetues.

Keqardhje që Gjykata Kushtetuese bëhet amplifikatori i së keqës dhe i jep krah kapjes së shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat