LDK-ja thotë se i ka votat për formimin e qeverisë

Aktuale

LDK-ja thotë se i ka votat për formimin e qeverisë

Më: 1 qershor 2020 Në ora: 19:08
Ilustrim

Qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet që të votohet të mërkurën.

Lidhja Demokratike e Kosovës, së cilës Gjykata Kushtetuese ia njohu të drejtën e formimit të qeverisë, ka dorëzuar në kuvend kërkesën për mbajtjen e seancës për të mërkurën në ora 11:00.

“Presim që ditën e mërkurë të kemi qeverinë e re”, tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Thirrja e seancës së kuvendit nga ana e LDK-së ndodhi pasi të hënën Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, i cili i dha mandatin për formimin e qeverisë, Avdullah Hotit të LDK-së.

Gjatë një konference për media pas dorëzimit të kërkesës në Kuvend, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se pas dakordimit me partnerët, e kanë të garantuar formimin e qeverisë.

“Pra, janë njoftuar të gjitha partitë, partnerët e koalicionit për seancën që do të mbahet ditën e mërkurë në ora 11:00 dhe normalisht e kemi të garantuar edhe formimin e qeverisë”, tha Gashi.

Por, Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje, e quajti aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese si “skandaloz” dhe të “fabrikuar”, duke kërkuar rigjykim për këtë çështje.

Lidhja Demokratike e Kosovës synon që të formojë qeverinë e re me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nisëm Socialdemokrate, Listën Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë.

AAK-ja konfirmon emrat e ministrave

Partnerja e koalicionit, me të cilin synon të ketë bashkëqeverisje LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë Kosovës është e bindur në formimin e qeverisë së re.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një aktiviteti në qytetin e Suharekës, tha se qeveria e re do ta ketë të vështirë rimëkëmbjen ekonomike dhe njëherësh konfirmoi emrat e ministrave të propozuar nga partia e tij.

“Misioni më i vështirë i kësaj qeverie do të jetë misioni i shpëtimit të ekonomisë së vendit. Zoti Blerim Kuçi është ministër i Zhvillimit Ekonomik, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, pastaj për ministre të Jashtme kemi, Meliza Haradinaj – Stublla, ministër i Drejtësisë, Selim Selimi dhe i Arsimit, Ramë Lika si dhe zëvendëskryeministër Besnik Tahiri, pra një ekip vërtetë i suksesshëm”, tha Haradinaj.

Presidenti fton Hotin që t’i marrë përgjegjësitë

Pas publikimit të aktgjykimit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka kërkuar formimin e shpejtë të qeverisë.

“U dëshmua edhe njëherë se në Kosovë është pjekur demokracia dhe se funksionojnë me sukses institucionet e pavarura. Tani është hapur rruga për formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Shpresoj që të jetë kapitull i ri për stabilitet dhe zhvillim”, deklaroi presidenti Thaçi.

Sipas tij, Kosova tani duhet të marrë dy hapa urgjentë: të vazhdojë kujdesin në përballjen me pandeminë e koronavirusit të ri dhe që qeveria e re të prezantojë planin për rimëkëmbje ekonomike.

Si përfundoi dekreti në Gjykatë Kushtetuese?

Më 30 prill, ditën që presidenti i Hashim Thaçi mandatoi Avdullah Hotin për formimin e qeverisë së re, Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar interpretimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit.

Vetëvendosje pretendonte se presidenti Thaçi kishte bërë shkelje kushtetuese kur kishte nxjerrë dekretin për mandatimin e Hotit për shkak se kjo e fundit nuk e kishte konsumuar të drejtën e saj për propozimin e mandatarit të ri, pas rrëzimit të qeverisë.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti njoftoi se subjekti i tij politik nuk do ta pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të cilën tha se “u rreshtua me kapësit e shtetit”.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti u rrëzua me 25 mars të këtij viti pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat