Salihu mbështet propozimin e Vjosa Osmanit, por thotë se sa ka qenë legjitime Qeveria Kurti, është edhe ajo Hoti

Aktuale

Salihu mbështet propozimin e Vjosa Osmanit, por thotë se sa ka qenë legjitime Qeveria Kurti, është edhe ajo Hoti

Më: 2 qershor 2020 Në ora: 18:16
Fitim Salihu

Njohësi i çështjeve politike, Fitim Salihu, thotë se deklaratat e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, për një qeveri tranzitore, nuk janë befasuese për të.

Kjo pasi që, siç thotë Salihu, vetë Osmani ka deklaruar se momentalisht ndjehet më afër Kurtit dhe Vetëvendosjes sesa partisë së saj.

“Këto deklarata të Vjosa Osmanit nuk janë befasuese. Në fakt, vetë ajo e ka thënë publikisht që momentalisht ndjehet më afër Kurtit dhe Vetëvendosjes sesa partisë së saj”, ka thënë Salihu.

Ai shton se pajtohet në parim me deklaratën e Osmanit, se zgjedhjet janë instrumenti i vetëm që e legjitimon një qeveri, por shton se sa ka qenë legjitime Qeveria Kurti, po aq është edhe ajo Hoti, pasi që sipas tij, të dy këto qeveri janë votuar nga të njëjtit deputetë.

“Në parim pajtohem me deklaratën e kryeparlamentares se zgjedhjet janë instrumenti i vetëm që e legjitimon një qeveri. Por, edhe Qeveria Hoti do të ishte po aq legjitime sa Qeveria Kurti sepse atë do ta votojnë të njëjtë deputetë që e kanë votuar Qeverinë Kurti në shkurt, të cilët janë pjesë e të njëjtit parlament që ka dalë nga të njëjtat zgjedhje”, ka thënë ndër të tjera, analisti Fitim Salihu.

Porosia e tij dhënë në bisedë, është që të gjitha partitë politike, ta kuptojnë se nuk mund të qeverisin të vetëm dhe se duhet të ndryshojnë qasjen politike – nga qasja armiqësuese e refuzuse drejt një qasje mirëkuptuese e bashkëpunuese reciproke.

“Po ashtu, pajtohem edhe me deklaratën e kryeparlamentares që Kosova ka nevojë për qeveri konsensuale që do t’i përfshinte të gjitha forcat politike sepse proceset politike që po na presin kërkojnë konsensus të gjerë politik e shoqëror. Shpresoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të shërbejë si kushtrim për të gjitha partitë që t’i ulin heshtat, ta kuptojnë se asnjë parti aktualisht nuk qeveris dot e vetme dhe se duhet ta ndryshojnë qasjen politike – nga qasja armiqësuese e refuzuse drejt një qasje mirëkuptuese e bashkëpunuese reciproke. Edhe nëse nuk krijohet një qeveri e gjerë, së paku do duhej të thellohet dialogu dhe bashkëpunimi mes partnerëve të koalicionit qeveritar dhe dy partive opozitare – VV-së dhe PDK-së”, ka përfunduar Salihu.

Gjatë ditës, në një intervistë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, përmendi formimin e një qeverie konsensuale, si zgjidhje të vetme për tejkalimin e këtij momentumi aktual politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat