Seanca e Kuvendit, themelohet Komisioni Hetimor për punën e Qeverisë gjatë pandemisë

Aktuale

Seanca e Kuvendit, themelohet Komisioni Hetimor për punën e Qeverisë gjatë pandemisë

Më: 4 qershor 2020 Në ora: 10:31

(E plotësuar) - Me 74 vota pro, asnjë kundër dhe 10 abstenime Kuvendi i Kosovës ka votuar formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19 nga ish-Qeveria Kurti.

Përbërja e të këtij komisioni: Mimoza Kusari-Lila – kryesuese, Labinotë Demi-Murtezi e Fatmire Mulhaxha Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ekrem Hyseni, Ilir Ferati e Veton Berisha nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputetja Eliza Hoxha e cila në këtë komision është edhe zëvendëskryesuese dhe Bekim Haxhiu e përfaqësojnë Partinë Demokratike të Kosovës.

Shkumbin Demaliaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa Listën Serbe në këtë komision e përfaqëson Milosh Peroviq, kurse koalicionin Nisma-AKR e përfaqëson deputeti Endrit Shala.

Po ashtu, me 73 vota është miratuar edhe kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovë për miratimin për caktimin e taksës investive prej 0.33 për qind dhe taksës operacionale prej 0.065 për qind për vitin 2020.

Kuvendi ka bërë edhe zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare sipas propozimeve të grupeve Parlamentare. 

***

Në Kuvend u themelua Komisionin Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria e Albin Kurtit.

74 kanë votuar për themelimin e këtij komisioni, që sipas propozueses, deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, do të merret me gjithçka që ka të bëjë me pandeminë, më atë që është bërë nga Qeveria, do të hetojë vdekjen e Agon Musliut në Qendrën e Studentëve derisa ishte i karantinuar dhe asaj që do të bëhet në lidhje me situatën e krijuar. Dhjetë deputetë abstenuan, ndërsa kundër nuk kishte asnjë.

Anëtarë të këtij komisioni janë zgjedhur: nga VV-ja, Mimoza Kusari-Lila – kryesuese, Labinotë Demi-Murtezi e Fatmire Mulhaxha Kollçaku, nga LDK-ja, Ekrem Hyseni, Ilir Ferati e Veton Berisha, nga PDK-ja, Eliza Hoxha – zv.kryesuese e Bekim Haxhiu, nga AAK-ja, Shkumbin Demaliaj, nga Lista Serbe, Milosh Peroviq, nga Nisma-AKR, Endrit Shala.

Krasniqi: LVV mos ta falenderojë Naser Ramadanin, e shkarkuan nga Bordi i ShSKUK-së

Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi gjatë debatit në seancën e Kuvendit në lidhje me menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, deklaroi se nuk duhet të përmendet emri i drejtorit të IKShP-së, Naser Ramadani, pasi sipas tij, ky i fundit u shkarkua nga Bordi i ShSKUK-së në kohën e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Krasniqi fillimisht ka kritikuar qeverinë e re për shkak të mos prezencës së tyre në seancën e parë të Kuvendit, që prej emërimit në qeveri.

Krasniqi: Hoti e ministrat tjerë t’i lënë punët tjera kur mblidhet kuvendi

“Obligimi kryesor i çdo qeverie prej kryeministrit, e deri te ministrat e ministre, është që kur të punon kuvendi, me qenë në Kuvend. Ftoj kolegët e këtyre grupeve parlamentare që keni krijuar shumicën e re, t’ia përcilli Avdullah Hotit e teposhtë se kur mblidhet kuvendi, le t’i lënë punët tjera. Bile, ata as punën nuk e kanë filluar mirë dhe është dashur të qëndrojnë këtu dhe të dëgjojnë që dje mezi iu dha mandati”, tha ai.

Krasniqi tha se sot në seancën që po mbahet po shihen disa “siklete”, meqë sipas tij vendimet e LVV-së në fund kur të merret verdikt nga gjykata, mund të dalin kriminale, për shkak të pasojave që kanë pasur ato.

Krasniqi: Deputetët e LVV-së të kishin qenë në vend të Kurtit, s’i kishin marrë ato vendime

“Mua më vjen keq që shoh disa siklete të deputetëve dhe përnjëmend e kam besim që sikur këta të kishin qenë në vend të Albin Kurtit dhe Arben Vitisë, nuk i kishin marrë ato vendime. Mua po më dhimben që edhe në të ardhmen kanë me qenë këtu duke i arsyetuar vendimet e paligjshme dhe skandaloze. Kush e di a kanë me dalë, nuk po dua të paragjykoj tash, por dyshime ka edhe në ardhmen. Dhe më dhimben nëse ua imponojnë t’i mbrojnë”, tha Krasniqi.

Deputeti Krasniqi tha se nuk duhet përmendet emri i drejtorit të IKShP-së, Naser Ramadanit, meqë sipas tij ky i fundit u shkarkua nga bordi i ShSKUK-së nga ish-ministri Arben Vitia.

Krasniqi: Pse po e falënderoni Naser Ramadanin, vetë e keni shkarkuar

“Qysh nuk ju vjen keq ta përmendni Naser Ramadanin. Çka po e falënderoni ju Naser Ramadanin, ju e keni shkarkuar Naser Ramadanin. Arben Vitia e ka shkarkuar Naser Ramadanin prej ShSKUK-së. E keni shkarkuar Naser Ramadanin po ua përkujtoj. Mos dilni tash ta falënderoni. Pse ai nuk ka pasur çfarë t’ju bëjë, a po mendoni që mirë i ka ardhur? Ndoshta tregon ndonjëherë a i ka ardhur mirë. Në bordin ku ka qenë kryesues, në bordin ku e kanë bërë kryesuses një ish-ministër të PDK-së. Ju nuk keni besuar në vlerat që përfaqëson, qysh ja keni nis e keni shkarkuar edhe prej institutit po fati në fatkeqësi për të që ka qenë pandemia”, ka deklaruar ai.

Deputeti i PDK-së tha se është keq të thuhet, se nuk ka pasur maska e doreza, meqë siç tha ai një gjë e tillë nuk ka qenë e vërtetë.

Donacionet nga Serbia bëhen “mollë” sherri në Kuvend

Donacionet nga Serbia janë bërë “mollë” sherri në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Me akuza dhe kundër akuza është përcjell pranimi i 1000 testeve nga Serbia për Covid 19. Aty deputetët e PDK-së dhe AAK-së kanë vazhduar kritikat ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Por në krah të këtij të fundit ka a dal kryeparlamentarja, Vjosa Osmani. Ajo tha se donacionet nga Serbia nuk kanë arsyetim, por të tillat janë pranuar qysh nga viti 2016 me dhjetëra miliona euro.

Ish-ministri, tashmë deputeti i PDK-së, Uran Ismaili tha se kryeparlamentarja Osmani me këtë qasje është duke promovuar shkeljen e ligjit. Ai tha se donacionet e kaluara kanë ardhur në bazë të ligjeve të Kosovës, kurse këto të fundit sipas tij i kanë pruar njerëzit e Gjuriqit duke i kontrabanduar.

Ismaili-Osmanit: Jeni duke promovuar shkeljen e ligjit

“Je duke provuar shkeljen e ligjit. Pra nëse mendon që faktet që i ke nga stafi civil që të kane ardhur, janë për ty të mjaftueshme për mos të verifikuar të vërteten. Por të proklamuar atë në ngritje të argumentit politik. Konsideroj që jeni të një shteg të gabuar. Donacionet që kanë ardhur në Kosovë kanë ardhur bazë ligjeve të Kosovës dhe komisioneve që i kanë paraparë ligjet e Kosovës. Testet që kanë ardhur kanë ardhur në gepek, jo bagazh se s’kanë ardhur nga Shqipëria. Kanë hyrë brenda me njerëz të Gjuriqit. Nuk i ka pritur askush, i kanë çuar në institut të kontrabanduara. Nuk i ka përdorur ai, ky është realiteti i testeve”, tha ai.

E kryetarja e legjislativit, Vjosa Osmani theksoi se marrjen e donacioneve nga Serbia edhe në vitet e kaluara e ka konfirmuar nga sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë.

Osmani: Për mua donacionet nga Serbia nuk kanë arsyetim

“Për mua donacioni nga Serbia nuk ka asnjë arsyetim. As në 2016, as në 2017, as në 2018 as, 2019, as 2020. Unë këtë qëndrim politik nuk e thash. Thjesht iu informova se kjo letër më ka ardhur nga Ministria e Shëndetësisë. Jo nga persona politik, por nga sekretari permanent. Këtë do t’iu bëj të ditur të gjithë deputetëve, se unë e vlerësoj se është në interes të komisionit hetimor të ketë këtë informatë”, tha ajo.

E ashpër në reagimin e saj ndaj deputetit të PDK-së u shpreh, Fitore Pacolli nga Vetëvendosje, e cila i tha Ismailit se nuk mundet të mbulojë dështimin dhe korrupsionin 20-vjeçar të PDK-së në qeverisje.

Pacolli-Ismailit: Nuk mundesh të mbulosh dështimin dhe korrupsionin e qeverisjes 20 vjeçare të PDK-së

“Nuk mundesh as duke ngritur zërin, e as me bërtit këtu në foltore duke ngritur gishtin me tregu dhe të mbulosh dështimin e korrupsionin të qeverisjes së PDK-së për 20 vite. Po ashtu nuk ka nevojë që në këtë kuvend t’i tregojmë qytetarëve se nuk ka dorëza në kohën kur keni qeverisur se këtë e kanë përjetuar në lëkurën e tyre. Po ashtu nuk ka nevojë t’i tregojmë grave shtatzëna që kanë shkuar për të lindur në spital, por në veti është dashur të marrin dorëza, ampulat dhe pajisjet tjera”, tha ajo.

Kundër marrjes së testeve nga Serbia u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri.

Gaxherri: Nuk është dashur të pranohet donacioni nga Serbia

“Fatkeqësisht presidenti i Serbisë është krenuar dhe mburrur me një donacion të cilin nuk ke kemi vënë në funksion. Për ligësinë tonë, të institucioneve të Kosovës që nuk është dashur të pranojmë në atë formë donacionin. Pasi nuk ka hyrë në funksion”, tha ajo.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu theksoi se marrja e atyre testeve nga Serbia është fyerje për Kosovën.

Haxhiu: Shteti është fyer nga marrja e testeve nga Serbia

“Arsyeja edhe fyerja që iu ka bo shtetit me pranimin e këtyre testeve ka qenë pikërisht marrja e testeve nga Serbisë, duke e bërë këtë në arenën ndërkombëtare si shtet humanitar. Pra kjo nuk do të fshihet kurrë, e keni lënë një plagë që nuk do të shërohet. Testet i keni marrë në kontrabandë, pa u kontrolluar nga askush”, tha ajo.

Në fillim të pandemisë Covid-19, ish-Qeveria Kurti ka pranuar 1000 teste si donacion nga Serbia. Kjo është arsyetuar si gjest i vullnetit të mirë në këtë kohë krize, por kjo vazhdimisht është kundërshtuar nga deputetët opozitarë të PDK-së dhe të tjerë.

Përplasen Gashi e Nagavci: E patolerueshme të komentohen diskutimet e deputetëve

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci në seancën plenare e cila ende është duke vazhduar, i është kundërpërgjigjur deputetes së LDK-së Besa Gaxherit lidhur me donacionet e Serbisë.

Nagavci i tha Gaxherit se Kosova tash ka një zëvendëskryeministër nga radhët e Listës Serbe, i cili mund të japë shpjegime se ku kanë shkuar donacionet e ardhura nga Serbia.

Nagavci: E keni zëvendëskryeministrin që tregon se nga shkuan donacionet e Serbisë

“E kemi edhe një zëvendëskryeministër tani nga Lista Serbe, i cili iu ndihmon sigurisht të kuptoni se ku kanë shkuar ato”, tha ajo.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili këshilloi Nagavcin që derisa ta kryesojë seancën, të mos komentojë diskutimet e deputetëve.

Gashi: Nagavci të këshilloj që është e patolerueshme t’i komentoni diskutimet e deputetëve

“Zonja Nagavci në formë të këshillës për ju si kryesuese e seancës është e patolerueshme t’i komentoni diskutimet e deputetëve, pra nuk preferohet kryesuesi i seancës të komentojë diskutimet individuale të deputetëve, mund të marrësh fjalën për të diskutuar me replika dhe kundër replika, por jo prej pozitës si udhëheqës e seancës, andaj miqësisht të këshilloj të mos i përdorësh më“, tha Gashi.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se për shkak të pandemisë kanë kërkuar mirëkuptim që foltorja të mos shfrytëzohet nga shumë deputetë, andaj sipas saj secili kryesues mund të kërkoj replikë nga vendi.

Osmani: Secili kryesues në këto rrethana të flasë nga vendi

“Një rregull për të cilin jemi pajtuar që të gjithë që nga fillimi i këtyre rrethanave është që të tentojmë të flasim nga vendi në mënyrë që kjo foltore mos të shfrytëzohet nga shumë njerëz. Në seancat e kaluara kam kërkuar mirëkuptimin tuaj dhe e kam pasur që edhe unë të flas nga vendi, në mënyrë që të mos shfrytëzohet foltorja, por në rregullat e njëjta sikur deputetët të tjerë, pra edhe unë edhe secili kryesues i seancës kur kërkojmë replikë sipas rregullores së Kuvendit”, tha Osmani.

Seanca plenare, e cila ka nisur pas orës 10:00, pikë diskutimi ka formimin e Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së COVID-19 nga ish-Qeveria Kurti.

Po ashtu, do të shqyrtohet kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për 2020 dhe propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

***

Deputetja Time Kadrijaj në emër të AAK-së tha se ndonëse ka pasur deklarata se gjendja është duke u menaxhuar mirë, kjo nuk është e vërtetë.

Sipas saj, personeli shëndetësor është përballur me mungesë të mjeteve mbrojtësve.

Ajo tha se deputetët që kanë vizituar institucionet shëndetësore janë akuzuar nga ish-qeveria se po politizojnë me gjendjen aktuale.

Kadrijaj: Ka pasur mungesë të dezinfektuesve dhe dorëzave

“Të gjitha institucionet shëndetësore dhe njerëzit që kanë punuar në këto institucione shëndetësore kanë deklaruar se kanë mungesa edhe të mjeteve më elementare për pandeminë. Kanë pasur mungesë të dezinfektuesve, dorëzave, maskave. Sa herë që kemi filluar ta bëjmë publike, jemi akuzuar. Shqetësuese për ne ka qenë edhe gjendja e të riatdhesuarve... Se ka pasur një keq menaxhim të gjendjes pandemike ajo tashmë është parë dhe është dokumentuar”, tha ajo.

AAK ka propozuar për anëtare të Komisionit Hetimor deputeten Albena Reshitaj.

***

 Deputeti i PDK-së Uran Ismaili në emër të Grupit Parlamentar të kësaj partie, tha se e kanë parë të nevojshme formimin e komisionit hetimor për menaxhimin e pandemisë COIVD-19 në mënyrë që të zbardhen të gjitha dyshimet për keqpërdorime nga ish-Qeveria Kurti.

Ismaili tha se përgjegjësia e atyre që mbajnë pushtet dhe që nënshkruajnë kontrata milionëshe nuk është me rëndësi se në çfarë kohe gjenden ata. Disiplina financiare, ruajtja e parasë publike, mënyra se si menaxhohen karantinat tha se janë punë të përditshme.

Ismaili: Ka pasur mundësi të abuzimit me paranë publike

“Kemi kërkuar ta shohim se si janë privuar nga të drejtat qytetarët, mënyrën se si janë liruar nga karantina dhe nëse ka pasur favorizim politik për çfarë ne kemi konsideruar se ka pasur dëshmi të mjaftueshme. Çështja e pandemisë ka sjellë edhe një seri tjerash të cilat i kemi konsideruar se nuk janë bërë në formë të rregullt dhe se ka pasur një mundësi të abuzimit të parasë publike, në këtë rast përmes çmimeve të abuzuara”, tha ai.

Nga kjo parti pjesë e komisionit do të jenë Eliza Hoxha, zëvendës kryesuese dhe anëtar Bekim Haxhiu.

***

Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së , deputeti Ilir Ferati, tha se është e nevojshme dhe e domosdoshme që të themelohet Komisioni Hetimor Parlamentar për të zbardhur atë se çka ka ndodhur me menaxhimin e pandemisë.

Ai tha se është shumë më rëndësi që të zbardhet funksionimi i qendrës së karantinimit.

Ferati: është shumë më rëndësi që të zbardhet funksionimi i qendrës së karantinimit

“Ne kemi përcjell me kujdes të gjitha zhvillimet rreth menaxhimit të gjendjes emergjente dhe veprimet e Ministrisë së Shëndetësisë, prandaj konsiderojmë që është shumë më rëndësi që të zbardhet funksionimi i qendrës së karantinimit, që të zbardhet kontrata dhe furnizimi me pajisje dhe produkte të tjera që kanë qenë të nevojshme për menaxhim të pandemisë. Gjatë punës Komisionit për Shëndetësi ka gjetur edhe shkelje dhe dyshime për keqmenaxhim në këto drejtime, që të zbardhet forma se si njerëzit janë liruar nga karantinimi me kritere të dyshimta. Që të zbardhet furnizimi me çmimet e larta pa u konsultuar çmimet referente”, tha ai.

Në këtë komision nga LDK janë propozuar Ekrem Hyseni, Ilir Ferati dhe Rasim Demiri.

***

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do ta mbështesë formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së COVID-19 nga ana e ish-Qeverisë Kurti.

Shefi i këtij grupi parlamentar Rexhep Selimi tha në seancën e sotme plenare se e kanë përkrahur qysh në fillim dhe do të vazhdojnë t’i ofrojnë bashkëpunim.

Selimi: E kemi përkrahur dhe do të vazhdojmë t’i ofrojmë bashkëpunimin tonë

“Komision të cilin qysh kur është propozuar e kemi përkrahur, madje edhe me vendosmëri po aq sa edhe ka pasur propozuesi. E kemi përkrahur dhe do të vazhdojmë t’i ofrojmë bashkëpunimin tonë dhe njëkohësisht edhe atëherë edhe sot nuk jemi kundër asnjë lloj hetimi qoftë edhe ai parlamentar, u uroj suksese në këtë hetim, ndonëse për rastet e theksuara ka edhe hetim tjetër nga drejtësia”, tha Selimi.

Ai ka falënderuar ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia për të gjithë punën që ka bërë me pandeminë COVID-19.

Ndërkohë ka propozuar që nga VV-ja, Mimoza Kusari-Lila – kryesuese, Labinotë Demi-Murtezi e Fatmire Mulhaxha Kollçaku.

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar tash ish-ministrin e Shëndetësisë, për keqpërdorim të parasë publike në kohë të pandemisë, duke i bërë thirrje Prokurorinë që t’i hetojë tenderët e dhënë nga MSH.

Sidoqoftë, edhe Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga organet kompetente që të hetojnë tenderët për procedurat e negociuara gjatë kohës së pandemisë.

Ky institucion i udhëhequr nga Arben Vitia, të njëjtën kërkesë e bëri dy herë nga Policia e Kosovës dhe nga Autoriteti i Konkurrencës.

***

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për donacionin e testeve për Covid-19 të ardhur nga Serbia kohë më parë. Osmani ka deklaruar se zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë ka marrë një shkresë ku sipas saj jepeshin detaje sa i përket ardhjes së donacioneve nga Serbia që nga viti 2016.

Sipas Osmanit, letra të cilën ajo e ka lexuar tregon për miliona euro donacione që Kosova ka marë nga shteti serb. Ajo ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës të kërkojnë llogari.

“Më lejoni t’ju njoftoj se jam njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë sa i përket donacioneve nga Serbia. Letra thotë se që nga vitit 2016, MSH-ja ka pranuar si donacion nga shteti serb dhjetëra- miliona euro vlerë në formë të barnave, pajisjeve mjekësore dhe materialit mjekësor. Do të ishte mirë që si deputetë të Kuvendit tqë Kosovës të pyesim se përse janë mbajtur fshehtë këto donacione dhjetëra milionëshe, që kanë ardhur në Kosovë nga Republika e Serbisë”, ka deklaruar Osmani.

Deputetët pinë duhan, Vjosa Osmani thërret inspektorët për t’i dënuar

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar Inspektoratin e Ministrisë së Shëndetësisë që të shkojë në sallën e Kuvendit të Kosovës e të shqiptoj gjoba për deputetët të cilët janë duke pirë duhan brenda ambienteve të Kuvendit të Kosovës.

“Po vërehet tymi që po vjen nga salla prapa, jeni duke e shkelur Ligjin për Duhanin. Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë do të monitorojë këtë shkelje dhe do të shqiptojë dënime të merituara. Deputetët janë të njoftuar për këtë”, tha ajo.

Më herët, kamerat kishin zënë deputetin e AAK-së Daut Haradinaj, duke tymosur në sallën afër asaj kryesore të Kuvendit. Për këtë kishte kërkuar falje pak çaste më vonë, duke thënë se këtë e bëjnë të gjithë deputetët.

E Kuvendi i Kosovës ka nisur sot seancën plenare nga ora 10:00.

***

Deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu bëri sot thirrje që sa më shpejt të merren masa sa i përket Këshillit Shtetëror të Cilësisë, për çka sipas saj nga kaosi brenda këtij institucioni arsimor po pësojnë studentët.

Haxhiu gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës tha se Qeveria do ta ketë përkrahjen e AAK-së kur është nevoja, por edhe do të jetë kritikuese.

Sipas saj, për shkak të kundërthënieve të anëtarëve të KSHC-së përbrenda saj, janë duke e pësuar më së shumti studentët bursistë në institucione prestigjioze të arsimit.

Haxhiu: Studentët fillojnë vitin, programet ndodh që nuk akreditohen

“Unë nuk dua të hyj në pjesën se çfarë ka ndodhur aty, dhe që rasti është në organet e hetuesisë, në polici, në prokurori, por shqetësim imi janë institucionet të cilat presin të akreditohen programet dhe mbi të gjitha studentët të cilët po pësojnë. Janë studentët që më kanë shkruar, e që kanë aplikuar në institucione prestigjioze për master apo doktoratë, të cilët kanë fituar bursa dhe është dashur të kthehen prapa pasi diplomat e marra në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, nuk iu kanë vlejtur. E, për çka? Për shkak se akreditohen programet dhe studentët ndodh që fillojnë vitin akademik para se të akreditohen programet”, tha ajo.

Deputetja e AAK-së i bëri thirrje ministrit të ri të Arsimit, Ramë Likaj, që të ndërmarrë masa ndaj kësaj situate.

Haxhiu: 240 programe po presin për akreditim

“Kjo nuk është ndërhyrje politike, është kuvendi që i ka zgjedhur ata anëtarë, por me shqetëson fakti që me atë institucion, brenda anëtarëve aq kundërthënie ka që institucionet po presin dhe 240 programe po presin për akreditim”, shtoi Haxhiu. 

***

Deputetja e LDK-së Besa Gaxherri është treguar e ashpër me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fjalimit të saj sot në Kuvend, duke iu kërkuar që të lënë broçkullat dhe vajtimet, pasi sipas saj kanë qenë vetë ata që i kanë ikur përgjegjësisë me rënien e Qeverisë Kurti.

Ajo tha se Kosova nuk ka kohë për lojërat e tyre dhe se është koha për të punuar.

Gaxherri: Kosova s’ka kohë të presë lojërat e Vetëvendosjes

“Ju kisha lut t’i lini broçkullat dhe vajtimet sepse ju jeni vetë ata që i keni ikur përgjegjësisë, kurrkush nuk iu ka heq prej aty. Ju e keni lënë atë vend dhe Kosova nuk ka kohë të presë lojërat tuaja. Ne jemi këtu secili, të gjitha partitë politike, kush mendon që këtu mund të bëjë çka dëshiron pushon pak dhe ata që janë më serioz vazhdojnë. Kështu që, mos na merrni kohën. Zoti kryeministër, do të jemi bashkë që të punojmë seriozisht dhe jemi këtu para jush edhe t’iu kërkojmë përgjegjësi”, tha Gaxherri.

Gaxherri ka kërkuar nga Qeveria Hoti që të ketë prioritet viktimat e dhunës seksuale që të pajisen me kartelat e sigurimit shëndetësor.

***

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke iu përgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së Bedri Hamza, se opozita do t’iu ofrojë bashkëpunim dhe se kanë nisur një standard të ri, tha se ky standard ka nisur më 25 mars kur u rrëzua qeveria Kurti në mes të pandemisë.

Ky standard i ri, sipas saj, është për faktin se Kosova për herë të parë ia ka dhënë drejtimin dhe forcën ekzekutive presidentit të vendit.

Kusari: Për herë të parë një qeveri zyrtarisht i ka dhënë forcën ekzekutive presidentit

“Është e vërtetë që Kosova ishte në të gjitha mediumet botërore për të vetmen arsye, për turpin e rrëzimit të qeverisë midis pandemisë. Edhe atë e kemi pasur në Washington Post, New York Times, në të gjitha. Kjo është hyrja në standardin e ri, ky standard i ri u vendos dje dhe ky standard përkon me faktin që në Kosovë për herë të parë një qeveri zyrtarisht ia ka dhënë drejtimin dhe forcën ekzekutive presidentit. Shprehimisht dhe me të gjitha masat dhe në bazë të normave që i prezanton Kushtetuta, presidenti prej sot është i pajisur me drejtimin e ekzekutivit, për arsye se ne e dimë si u votua qeveria. Standard i ri është të dilet publikisht dhe të tregohet që natën i vijnë në shtëpi presidenti edhe ish- kryeministri për ta votuar qeverinë”, tha ajo.

Ajo tha se ‘standard’ i ri është që ditën kur varrosen dy minatorët e vdekur në tragjedinë e Artanës, në Prishtinë shpërthejnë fishekzjarrët për Qeverinë Hoti.

Kusari tha se atë që nuk ka mund ta fitojë me vota, LDK ka arritur ta merr në tavolinë me ndërmjetësimin e presidentit.

Kusari: Ato që LDK nuk i ka marrë me premtime elektorale, i mori me ndërmjetësimin e Thaçit

“Po shihet që ju ka munguar debati dje, pasi e keni pasur ndërgjegjen e vramë se e kemi ditë që atë që s’keni mundur ta merrni me vota, ato që nuk i keni marrë me premtime elektorale, i keni marrë në tavolinë me ndërmjetësimin e presidentit, i cili e ka pasur marrëveshjen gati. I vetmi që ka pasur plan, ju këtu jeni pa plan, ju këtu nuk e keni një ide të qartë për atë se çka ju pret, ato fjalë për të luftuar pandeminë, derisa fjalët për zhvillimin e Kosovës janë pallavra. Kur Kosovës iu ka dëmtuar boshti dhe kjo është sistemi i rendit dhe ligjit, sistemi i rendit kushtetues, këto tjerat janë veç kozmetikë”, tha ajo

***

Në seancën e sotme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ia ka dhënë fjalën të dal në foltore Kryeministri i ri, nga partia e saj, Avdullah Hoti.

Pas fjalimit të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamzës, kryeministri Avdullah Hoti është parë duke i kërkuar kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit që ta marrë fjalën, por kjo kërkesë siç duket iu refuzua.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, u shpreh se sot është dita e parë në të cilin ata do të vendosin standarde të reja të punës. Ai tha se standardi i ri i punës do të jetë bashkëpunimi dhe nuk do të jetë një standard që e vendos Serbinë në titujt e gazetave prestigjioze në botë.

Gashi duke iu drejtuar deputetëve të LVV-së tha se sado që ata flasin ashpër, do të flasin but po do të veprojnë fortë.

Gashi: Ju garantoj që do të jetë standard i bashkëpunimit

“Ne standardin që do të ndërtojmë nuk do të jetë një standard i cili e qet Serbinë në avantazh në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk do të jetë një standard i cili e vendos Serbinë në titujt e gazetave më prestigjioze në botë, nuk do të jetë një standard i cili lejon mbi 200 mjekë të Serbisë të hyjnë dhe të veprojnë në Kosovë. Nuk do të jetë një standard me të cilin Serbia do të vendos gjendje të jashtëzakonshme në territor të Kosovës, nuk do të jetë një standard ku ilegalisht futen mbi 1 mijë teste për Covid në Kosovë. Pra, ju garantoj që do të jetë standard i bashkëpunimit, ju garantoj se sado që ju flisni ashpër ne do të flasim but, por do të veprojmë fortë”, tha ai.

Ai tha se sot po vendosin standardin e ri të të bërit politikë dhe të të menduarit politik, derisa tha se do t’i kenë të hapura dyer për bashkëpunim me opozitën.

Gashi: Të dashur bashkëpunëtor të djeshëm dhe opozitarë të sotëm mirëserdhët në realitetin e ri politik

“Te ne i keni duart e hapura sepse tek ne i keni të hapura dyert e hapura të bashkëpunimit si opozitë e re, si bashkëpunëtor të deridjeshëm dhe ndoshta si bashkëpunëtor të nesërm. Por, sot ju garantoj që do të jeni bashkëpunëtor nga opozita tek pushteti dhe të opozitës. Nuk do të kemi mundësinë që të silleni me mentalitetin e shkarkimeve të mesnatës apo të deklaratave që i keni instaluar në këtë Kuvend. Pra, të dashur opozitarë të sotëm dhe të djeshëm, të dashur bashkëpunëtor të djeshëm dhe opozitarë të sotëm mirëserdhët në realitetin e ri politik, mirëserdhët në bashkëpunimin pozitë opozitë, ju garantoj që lajmet në gazetat prestigjioze ndërkombëtare do të jenë në favor të Kosovës që bisedimet dhe diskutimet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të jenë në interes të Kosovës dhe ju garantoj se për çdo vendim i cili merret ju do të jeni të përfshirë dhe të informuar”, tha Gashi.

***

Në seancën parlamentare që po drejtohet sot nga kryetarja e kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, deputeti i VV-së Liburn Aliu duke folur për zhvillimet e fundit politike në vend, theksoi se dje ishte një ditë e pazakontë kur në dokumentet e kamionëve që u futen nga Serbia, shtetit tonë iu referuan si “Republika e Kosovës”, pas reciprocitetit të vënë nga Qeveria Kurti ditë më parë.

Aliu foli edhe formimin e qeverisë së re, të cilinën e qujti të jashtëligjshme, ndërsa për deklarimet djeshme të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, tha se janë kërcënuese.

Aliu: Në dokumentet e kamionëve që u futen nga Serbia, shtetit tonë i referoheshin si “Republika e Kosovës

“Ditë e pazakontë vërtet ishte ajo e djeshmja pasi filloj me diçka jashtëzakonisht të pa zakontë e që mbase nuk do të na e kishte marrë mendja askujt, kur në dokumentet e kamionëve që u futen nga Serbia në Kosovë, shtetit tonë I referoheshin si “Republika e Kosovës”. Është kjo një shenjë e mirë për një proces të frytshëm, të pandalshëm në Kosovë që bazohet në parim të reciprocitetit. Dhe për kundër kësaj prapë diçka e pa zakontë, por që pritej e që për këtë na e merrte mendja. Pra ishte avancimi dhe depërtimi I mëtejmë I Serbisë në Kosovë përmes Listës Serbe dhe të kësaj qeverie të jashtëligjshme. Tani çdo gjë është e qartë, përpjekje për vonim të asaj që tashmë ka filluar, madje përpjekje e cila çon deri në sulme si ato që pamë ndaj rrezikimit dje të jetës së një të riu, I cili I tha presidentit ‘hajn’ e deri te kërcënimet e mbrëmshme nga Hashim Thaçi në një emision televiziv. Nuk paska më përdorim presidenti si mjete për lotsjellës, ujë, arrestime, por paska vendos të na e tregoj vendin”, tha Aliu.

Në Kuvend janë duke u zhvilluar deklarimet jashtë rendit të ditës nga grupet parlamentare, ndërsa pritet të diskutohet në bazë të rendit të ditës për propozimin për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19 nga ish-Qeveria Kurti.

Po ashtu, do të shqyrtohet edhe kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2020 dhe propozimi i Grupeve parlamentare për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar tash ish-ministrin e Shëndetësisë, për keqpërdorim të parasë publike në kohë të pandemisë, duke i bërë thirrje Prokurorinë që t’i hetojë tenderët e dhënë nga MSH.

Sidoqoftë, edhe Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga organet kompetente që të hetojnë tenderët për procedurat e negociuara gjatë kohës së pandemisë.

***

Deputetja e Alternativës, nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se dje u hodhën fishekzjarrë në kryeqytet, në ditën kur u varrosën dy minatorë.

Dy ditë më parë kanë, dy xehetarë kanë humbur jetën nga shembja e një pjese të minierës së Artanës.

Deputetja Kusari i ka thënë Qeverisë së re, që u krijua dje, se u hodhën fishekzjarrë në ditën e njëjtë kur këta dy minatorë u varrosën.

“Ditën kur u varrosën dy minatorë, ju ndezët gjithë ato fishekzjarrë”, ka thënë Kusari.

Ajo për ndezjen e fishekzjarrëve ka shkruar edhe të mërkurën mbrëma, duke i lidhur ato Qeverinë e re, të cilën deputetja e quajti “Qeveri e Hashim Thacit, e udhëhequr nga Avdullah Hoti”.

Vjosa Osmani: RTK 1 duhet të transmeton seancën vetëm në gjuhën shqipe, jo serbe

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, gjatë seancës së Kuvendit i ka bërë një vërejtje Radio Televizionit të Kosovës për transmetimin në gjuhën serbe në “RTK1”.

Osmani ka thënë se RTK1 duhet të transmetoj seancën vetëm në gjuhën shqipe ndërsa RTK2 dhe RTK3 është për komunitetet jo shumicë.

“Një vërejtje ju lutem, para pak minuatve mora informatën që RTK1 ka transemtuar seancën në gjuhën serbe, RTK1 duhet të transmeton seancën vetëm në gjuhën shqipe. Ndërsa RTK2 dhe RTK3 është për komunitetet jo shumicë”, tha ajo.

Teuta Haxhiu përplaset me Vjosa Osmanin

Në emër të grupit parlamentar të AAK-së ka folur Deputetja Teuta Haxhiu, e cila është përplasur me kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, e cila e tejkaloi atë , duke i bërë me dije që të marrë fjalën deputetes së LVV-së Mimoza Kusari Lila.

Menjëherë pasi Osmani e ftoj Kusari Lilën të marrë fjalën, theksoi se nuk e kishte parë që Haxhiu kishte kërkuar paraprakisht në emër të grupit të saj të flas.

Mirëpo Haxhiu iu kundërvu Osmanit, duke i thënë se si ishte e mundur që të mos e dinte se ajo kishte kërkuar fjalën meqë në administratë mund ta verifikoj që ajo ka kërkuar e para të marrë fjalën.

“Unë kryetare kam kërkuar fjalën me fillim, administrata e dinë dhe s’di nëse nuk ka ardhur te ju”, tha Haxhiu.

 

***

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës të cilën po e drejton kryetarja Vjosa Osmani. Gjithashtu, pjesëmarrës janë edhe Lëvizja Vetëvendosje e cila një ditë më parë bojkotoi seancën.

Thirrja e seancës është bërë para formimit të re të Qeverisë Hoti dhe do të diskutojë propozimin për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19 nga ish-Qeveria Kurti.

Po ashtu, do të shqyrtohet edhe kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2020 dhe propozimi i Grupeve parlamentare për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Hoti mbërrin në Kuvend

Menjëherë pas mbledhjes ceremoniale të Qeverisë Hoti, kryeministri i ri i është drejtuar Kuvendit të Kosovës ku do të marrë pjesë në seancë.

Në seancën që pritet të fillojë pas pak, do të diskutohet për ngritjen e një komisioni hetimor për menaxhimin e situatës me COVID-19 nga ish-Qeveria Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat