Deputetja e Vetëvendosjes, Nagavci: Kërkesa në rritje për protesta, kundër qeverisë me çdo mjet

Aktuale

Deputetja e Vetëvendosjes, Nagavci: Kërkesa në rritje për protesta, kundër qeverisë me çdo mjet

Më: 4 qershor 2020 Në ora: 14:16
Arbërie Nagavci

Tashmë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të përdorë të gjitha mënyrat politike dhe demokratike përmes protestave dhe peticioneve për të kundërshtuar qeverinë e re të dalë “jo nga vullneti i popullit”.

Nënkryetarja e Kuvendit, njëherazi deputete e LVV-së, Arbërie Nagavci, tha për Euronews Albania se kërkesat e qytetarëve për protesta janë në rritje.

Nagavci e cilësoi qeverinë e re “të ardhur përmes manipulimit politik” dhe jo “legjitimimit qytetar” në zgjedhje demokratike.

“Ne do të ndjekim të gjitha mjetet politike duke qenë të kujdesshëm duke shmangur manipulimet dhe të mos vazhdojmë në rrugët që po synon Presidenti duke shkaktuar incidente,” – tha Nagavci duke kujtuar rastin e dhunimit të një aktivisti nga rojet e Presidentit Thaçi pas disa thirrjesh ndaj tij.

Nënkryetarja e parlamentit shprehu bindjen se Vetëvendosje është partia më e përkrahur nga qytetarët dhe në zgjedhjet e ardhshme ajo do të rikthehet në qeveri, por sidoqoftë do ta vazhdojë betejën politike në rrugë demokratike.

Ajo theksoi se ditët e fundit ka pasur kërkesa në rritje nga qytetarët për protesta, protesta që janë kërkuar edhe për datën 5 qershor, por të cilat Nagavci i konsideroi jo për të mbajtur pushtetin.

Ndikimet e Presidentit Thaçi dhe ish-Kryeministrit Haradinaj për të mbledhur votat e mjaftueshme për qeverinë Hoti, Nagavci i konsideroi “dëshmi të qarta për investimet e mëdha për të mbajtur pushtetin politika e vjetër”.

“Qeveria Hoti u votua me minimumin e nevojshëm, 61 vota, mes tyre njëri ka votuar nën kushtëzim të Presidentit dhe një tjetër edhe pse i dënuar me burg për keqpërdorim,” – tha Nagavci, e cila pohoi se çështja mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, por e konsideroi atë “institucion të kapur”.

Deputetja e Vetëvendosjes vlerësoi 3 deputetët e LDK-së që nuk votuan qeverinë e re dhe kritikoi ish-aleatët e koalicionit për “bindjen e radhës ndaj Presidentit Thaçi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat