243 raste aktive me koronavirus në Kosovë, situata epidemiologjike vlerësohet të jetë nën kontrollë

Aktuale

243 raste aktive me koronavirus në Kosovë, situata epidemiologjike vlerësohet të jetë nën kontrollë

Më: 4 qershor 2020 Në ora: 22:54
Ilustrim

Në Kosovë sot janë regjistruar edhe 5 raste të reja me koronavirus, ndërsa 3 pacientë janë shëruar, kështu duke e lënë numrin e rasteve aktive në 243.

Numri i përgjithshëm i rasteve të infektimit me koronavirus në Kosovë është 1147, 874 prej tyre të shëruar dhe 30 të vdekur.

Kosova ka proceduar me fazën e tretë të lehtësimit të masave parandaluese kundër koronavirusit kur edhe është hapur e gjithë ekonomia dhe pothuajse komplet kufizimi i lëvizjes.

Por, këto ditë është vërejtur një rritje e lehtë e rasteve të reja me koronavirus, por që sipas ekspertëve të fushës po vlerësohet se situata është nën kontrollë dhe nuk ka vend për panik.

Sipas tyre, mbetet tek qytetarët të kujdesen për njëri-tjetrin, familjen dhe vetën.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani sot në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj ka vlerësuar se situata është e menaxhueshme.

“Më lejoni që në këtë konferencë për media t’iu drejtohem pas mbledhjes që patëm me kryeministrin dhe ministrin ku diskutuam për situatën epidemiologjike ku tashmë e dini se po e mbajmë nën kontroll dhe është e qëndrueshme por që nuk lë vend për vetëkënaqësi por duhet të kemi kujdes të shtuar sidomos pas lehtësimit të masave, dhe tani kemi menduar se qytetarët janë të vetëdijesuar dhe me hapjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike, arsimore e sportive gradualisht ne do të shkojmë drejt normalizimit të gjendjes në një normalitet të ri që paraqet kujdesin e qytetarëve që gjenden kudo, të cilët duhet të kenë kujdes edhe më të shtuar në zbatimet e rekomandimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së që t’i përmbushin kriteret e parandalimit të koronavirusit sepse në këtë situate edhe në vendet e rajonit kemi rritje të lehtë të rasteve, madje edhe në Kosovë në disa vatra, por mund të kujdesemi dhe janë nën kontroll të plotë.”, tha Ramadani.

Vushtrria është aktualisht qyteti me më së shumti raste aktive me koronavirus, gjithsej 72 raste.

Më poshtë mund t’i lexoni të gjitha të dhënat e fundit të IKSHPK-së:

PESË RASTE ME COVID-19 DHE TRE TË SHËRUAR!

Sot më 04 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 294 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 5 raste.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Fushë Kosovës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Fushë Kosovë), komuna e Vushtrrisë 1 rast (sipas vendbanimit:1 rast Oshlan), komuna e Prizrenit 1 rast (sipas vendbanimit:1 rast Tupec) dhe 1 rast me vendbanim në Prishtinë.

Sot më 04 qershor 2020, janë shëruar 3 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 874 raste.

Nga data 08 shkurt deri më 04 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 15.880 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.147 raste, me gjithsej 30 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 04 qershor 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 6.625.777 raste të COVID-19 dhe 389.102 raste të vdekjes.

TË NDERUAR QYTETARË!

DUKE QENË SE SITUATA EPIDEMIOLOGJIKE DITËT E FUNDIT PARAQET RRITJE TË RASTEVE POZITIVE DHE NUK ËSHTË STABILE NË DISA KOMUNA TË KOSOVËS, DUHET ZBATUAR REKOMANDIMET PËR KUJDES TË SHTUAR NË KËTË FAZË, DUKE VËNË NË KONTROLLË MJEKËSORE ÇDO PERSON QË HY NË TERRITORIN E KOSOVËS.

Pakujdesia e disa qytetarëve në moszbatimin e masave mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.

Bazuar në këtë, IKSHPK rekomandon që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse duke u respektuar në mënyrë strikte distancimi fizik, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Të përcillet zbatimi i rekomandimeve të MSH dhe IKSHPK nga inspektoratet dhe organet e rendit dhe të merren masa përgjegjësie për të gjithë në rast të mos zbatimit eventual të këtyre rekomandimeve.

Çdo hap përpara që bëjmë, bartë edhe rrezikun me vete derisa virusi është ende në mesin tonë.
Andaj vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave!
Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!
Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë!
Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!
Ju lutem të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!

Ju faleminderit për mirëkuptim!. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat