Bugajski: Rusia shfrytëzon protestat, sulmon demokracinë amerikane

Aktuale

Bugajski: Rusia shfrytëzon protestat, sulmon demokracinë amerikane

Më: 6 qershor 2020 Në ora: 07:43
Janusz Bugajski

Janusz Bugajski, studiues në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane në Uashington, thotë se Rusia përpiqet të shfrytëzojë protestat në qytetet e Shteteve të Bashkuara për të sulmuar demokracinë amerikane dhe rolin e Amerikës në botë. Në një bisedë me kolegun e Zërit të Amerikës Ilir Ikonomi, zoti Bugajski shpjegon se kjo është një taktikë e vjetër e Moskës por që po përdoret në kushte të reja.

Zëri i Amerikës: Zoti Bugajski, kemi parë kohët e fundit se si mediat e kontrolluara nga Kremlini, portalet e tyre, e të tjera janë përqendruar në diskreditimin e institucioneve demokratike amerikane, për shembull duke e portretizuar policinë amerikane si brutale dhe raciste. Sa të suksesshme janë taktika të tilla?

Janusz Bugajski: Ato shfrytëzojnë një pjesë të dialogut ekstremist në Amerikë. Dua të them, Amerika është një shoqëri shumë e ndarë politikisht siç e dimë, dhe në shumë aspekte edhe nga pikëpamja sociale. Nuk janë rusët që e shpikën këtë, por ata përpiqen ta shfrytëzojnë në favor të tyre. Qeveria ruse, siç e thatë ju, përdor agjentë të ndikimit, influencues në internet dhe njerëz të tjerë për të përhapur idenë sikur Amerika është një shoqëri në kolaps, një shoqëri e padrejtë, një shoqëri e ndarë nga pikëpamja racore dhe në konflikt të përjetshëm. Nëse shihni disa nga filmat në televizionin rus për atë që po ndodh në Amerikë, aty Amerika paraqitet si një vend ku askush nuk do të dëshironte të shkonte. Ata e bëjnë të duket sikur në Amerikë asnjë rrugë nuk është e sigurt, asnjë qytet nuk është i sigurt.

Zëri i Amerikës: Si ndikon ky lloj portretizimi nga ana e Moskës tek imazhi i Amerikës në botë, nëse ka ndonjë ndikim?

Janusz Bugajski: Tradicionalisht, në kohën sovjetike, propaganda nga ana e Moskës synonte jo vetëm Amerikën, por edhe vendet e tjera të botës. Me fjalë të tjera, të përpiqemi të diskreditojmë modelin amerikan të demokracisë, të përpiqemi ta paraqesim ndikimin amerikan si imperializëm dhe të denigrojmë sistemin ekonomik të Perëndimit. Ndonjëherë ata kanë patur sukses, ju e dini se njerëzit janë shumë naivë ndonjëherë. Ne e pamë këtë në kohërat sovjetike dhe mendoj se ndoshta po e shohim këtë tani, në pjesë të ndryshme të botës.

Zëri i Amerikës: Çfarë mund të thuhet për Ballkanin Perëndimor, ku Moska përpiqet të përhapë ndikimin e saj? A e ndihmojnë në fakt propagandën ruse aktet e dhunës apo plaçkitjet në qytetet amerikane, për t'u thënë këtyre vendeve: shikoni, demokracia e Amerikës është thjesht një fasadë; se Amerika është në prag të luftës civile, etj?

Janusz Bugajski: Po. Kjo është diçka që ata përhapin jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në të gjithë Evropën, në një përqindje të caktuar të popullsisë që nuk e njeh Amerikën. Dhe mund të besohet nga disa. Ajo shfrytëzon disa pozicione nacionaliste, për shembull të disa prej nacionalistëve serbë në veçanti, kundër Amerikës, por nuk mund të imagjinoj që ndonjë prej komuniteteve shqiptare në Ballkan do të ndikohej nga një propagandë e tillë simpliste për Amerikën. Shqiptarët e dinë se çfarë është Amerika, ata e dinë që ka probleme. Ata kanë atje familje dhe miq që i vizitojnë herë pas here. Pra, mendoj se shumica e njerëzve në rajon, dhe kjo mund të thueht edhe për boshnjakët dhe kroatët, nuk do të mashtrohen nga kjo.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, nëse ju do të ishit një diplomat amerikan në një nga këto vende, si do t'ua shpjegonit këtyre audiencave atë që ndodhi në qytetet amerikane ditët e fundit? Sepse duket se ka konfuzion.

Janusz Bugajski: Mënyra se si e përshkruaj unë është se Amerika është një demokraci dhe se nga një numër i caktuar policësh është bërë padrejtësi. Kjo ka ndodhur shumë herë më parë dhe fatkeqësisht nuk është trajtuar. Amerikanët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre duke dalë në rrugë për të demonstruar, por askush nuk ka të drejtë të shkatërrojë pronën ose të plaçkisë dhe çdo demokraci duhet të mbrohet nga dhuna. Së dyti, do të thoja se ky lloj presioni publik shumë herë në historinë amerikane ka çuar në ndryshime. Për shembull, lëvizja e të drejtave civile në vitet 1960 çoi në ndryshime politike, ndryshime në legjislacionin për të drejtat e njeriut. Pra, duhet të perceptohet si një gjë shumë e shëndetshme që demokracia amerikane shpesh rigjenerohet nga opinioni publik.

Zëri i Amerikës: Në vendet si Shqipëria, ose Kosova që përballen me sfida të mëdha, si reformat zgjedhore në Shqipëri apo negociatat me Serbinë në Kosovë, mund të ekzistojë shqetësimi se Amerika është tepër e zënë me këto probleme të saj të brendshme sesa t’ju ndihmojë ju. A është kjo diçka që Rusia e përdor në avantazhin e saj?

Janusz Bugajski: Po. Padyshim, kjo është diçka që rusët do ta propagandonin dhe në fakt po e bëjnë këtë. Pra, se Amerika është aq e preokupuar me krizën e saj të brendshme saqë nuk ka kohë të merret me problemet tuaja. Kjo, në fakt, nga ana tjetër u ofron mundësi vendeve të tilla si Rusia, apo të tjerëve që kanë pretendime ndaj territoreve fqinje, të nxisin kriza pa patur shumë frikë nga një ndërhyrje amerikane. Pra kjo e ndihmon këtë lloj mesazhi, nxit destabilizimin e situatës, sepse inkurajon radikalët, inkurajon konfliktin. Është diçka nga e cila Rusia mund të përfitojë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat