Kosova nuk bën teste për COVID-19 për ata që udhëtojnë jashtë

Aktuale

Kosova nuk bën teste për COVID-19 për ata që udhëtojnë jashtë

Më: 6 qershor 2020 Në ora: 09:29
Ilustrim

Qytetarët e Kosovës që duan të udhëtojnë jashtë vendit dhe u duhet testi nëse janë të sëmurë me sëmundjen COVID-19, nuk mund ta bëjnë një test të tillë në vendin e tyre.

Kjo u krijon atyre shumë probleme sepse shumë shtete e kërkojnë një test të tillë.

Ndërkohë, autoritetet e Kosovës i kërkojnë çdo qytetari që hyn në vend, testin që dëshmon se nuk është i prekur nga COVID-19 (sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi), jo më të vjetër se katër ditë.

Nëse ata nuk kanë një test të tillë, atëherë duhet të vetizolohet për shtatë ditë.

Sipas infektologut Valbon Krasniqi, Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës përpos trajtimit të pacientëve me COVID-19, po ballafaqohet me fluks të qytetarëve që po e kërkojnë të bëjnë një test të tillë.

Sipas tij, kjo Klinikë i adreson të gjitha kërkesat e qytetarëve, mirëpo një vendim të tillë e merr Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Përveç pacientëve që po i trajtojmë në Klinikën Infektive, e që për fat të mirë janë pak në numër, ne po ballafaqohemi edhe me kërkesa të shumta nga qytetarët për të bërë testin për COVID-19, pra me ata qytetarë që udhëtojnë në shtetet te të cilat kërkohet testi për COVID-19”, tha ai.

Teste vetëm për ata që udhëtojnë për shërim

Prej kur janë hapur kufijtë tokësorë të Kosovës, qytetarët kanë shprehur interesim të lëvizjes, por që një gjë të tillë po ua pamundëson testi i cili dëshmon nëse personi është i infektuar ose jo me koronavirus.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se prej kur janë hapur kufijtë tokësorë të Kosovës për qarkullim të lirë të qytetarëve , testi për COVID-19 u bëhet vetëm atyre që shkojnë për mjekim jashtë vendit si dhe shoqëruesve të tyre.

“Në diskutim ka edhe opsione te tjera si testimi t'u bëhet edhe atyre që mund të bëjnë një lloj bashkëpagese për këtë, por kjo mund te rezultojë në këtë fazë me shpenzimin e testeve te cilat Kosovës mund t'i duhen për një valë tjetër eventuale të COVID-19, pas një kohe", tha Hoti.

Ai shtoi se ajo çfarë do të bëhet më tej rreth këtij procesi, do të vendosë Qeveria e re e Kosovës, bazuar ne rekomandimet e IKSHPK-së. Por, derisa të merret ndonjë vendim tjetër, mbetet ne fuqi ajo që deri tash është duke u zbatuar rreth testimeve për kosovarët që udhëtojnë në vende tjera, pra nuk mund t’u bëhen teste të tilla.

Të gjithë qytetarët e Kosovës ose të huaj që hyjnë në pikat kufitare, udhëzohen nga profesionistët shëndetësorë në pikat kufitare nëse duhet vetizoluar ose jo dhe kjo masë do të vazhdojë deri më 20 qershor, kur do të bëhet rivlerësim i situatës./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat