Lul Raka: Duhet të përgatitemi për valën e dytë të pandemisë

Aktuale

Lul Raka: Duhet të përgatitemi për valën e dytë të pandemisë

Më: 9 qershor 2020 Në ora: 00:24
Lul Raka

Mikrobilogu, Lul Raka, ka thënë se Kosova duhet të përgatitet edhe për valën e dytë të pandemisë COVID-19, pasi një gjë e tillë është paraparë nga ekspertët të ndodhë.

Ai ka thënë se me një bashkëpunim më të mirë të politikanëve në nivel global do të shpëtoheshin më shumë jetë njerëzish.

“Prej fillimit ka pasur sulme shumë nga të gjitha anët. Çdo grumbullim i njerëzve është e rrezikshme, çoftë mbledhja e Kuvendit, qoftë testet për protesta të Vetëvendosjes. Lehtësimi i masave mund të konsiderohen alternativa të tjera, por distanca nuk ndryshon dhe atë duhet ta mbajnë”, ka thënë Raka.

Ai ka thënë se faza e parë ka qenë e paalternativë mbajtja e distancës dhe masat e tjera kufizuese.

“Imuniteti kolektiv është shumë larg, prandaj hapja patjetër që ka pasur me ndodhë. Qëndrimi i profesionistëve shëndetësore dhe është fat që politikanët i kanë dëgjuar këshillat e mjekëve. Sigurisht se kjo i ka kushtuar ekonomisë, porse shëndeti ka qenë top prioritet. Pjesën më të madhe të kritereve i ka plotësuar Kosova, porse tani topi është te qytetari. Nuk përjashtohet si opsion kthimi i kufizimeve nëse ngarkohet intensiva, që shpresoj të mos ndodhë. Shtabet komunale kanë bërë punë të jashtëzakonshme”, ka thënë Raka.

Raka thotë se Suedia ka dështuar në menaxhimin e pandemisë.

“Sot Suedia i ka 45 të vdekur në 100 mijë banorë. Suedia është mbyll ende. Secili shtet ka specifikat e veta. Suedia e ka pranuar dështimin vet. Edhe shtetet e Evropës edhe të Ballkanit, hapjen e kufijve e kanë bërë mes shteteve që kanë pasur numër të përafërt të viktimave. Hapja e kufijve e bart me vete rrezikun. Edhe me Shqipërinë kemi pasur numra të përafërt. Maqedonia ka rritje drastike dhe nëse kjo vazhdon duhet pasur kujdes. Edhe reagimi është konform situatës epidimiologjike”, ka thënë ai.

Raka ka shtuar se duhet të hapet edhe aeroporti.

“Nëse e krahason me shtetet perëndimore në Kosovë ka më pas raste dhe duhet të ketë marrëveshje dypalëshe. Është në interes të Kosovës të kthehen bashkëatdhetarët. Gjithçka duhet të shkojë me kontroll dhe kujdes të shtuar”, ka treguar Raka.

Tutje ai ka folur edhe për çmimin “Evropiani i Vitit”.

“Ka qenë imazh sepse të rinj që kanë shkuar në Siri ka pasur edhe nga shtetet e tjera. Një pjesë të dedikimit ia kam bërë vendlindjes time. Unë jetoj në Kaçanik dhe që tri vjet rresht kaçanikasit e kanë fituar atë çmim. Prej qendrës së xhihadizmit është shndërruar në qendër të evropianizimit dhe meritojnë më tepër vëmendje”, ka thënë Raka.

Ai ka bërë thirrje që Kosova të përgatitet për valën e dytë të pandemisë.

“Pjesa më e madhe e ekspertëve kanë planifikuar se do të ketë valë të dytë, por çështja është se çfarë intensiteti do të ketë. Elementi tjetër është që ne të përgatitemi, me teste PCR, me furnizuar me respiratorë, me shtretër të kujdesit intensiv dhe me resurse humane. Ka resurse aktualisht, vetëm për mikrobiologji janë 4-5 specialiste që janë të papunë. Çdo rast i ri që shfaqet do të menaxhohet me shumë më efikasitet sesa tani. Kapacitete do të ketë”, ka thënë Raka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat