​Shtatorja e Vokrrit përfundon në tetor, vendoset te stadiumi i Prishtinës

Aktuale

​Shtatorja e Vokrrit përfundon në tetor, vendoset te stadiumi i Prishtinës

Më: 9 qershor 2020 Në ora: 14:55
Foto nga vendi i ngjarjes

Me rastin e dy vjetorit të vdekjes së legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, gjatë ditës së sotme është publikuar edhe buceta e shtatores së tij.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm personalitet të shquara nga Kosova, duke përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, ministren për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi si dhe krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kryeministri, Hoti u shpreh se të gjithë ata që janë rritur me legjendën e Fadil Vokrrit i kanë borxh familjes së tij për ta nderuar gjatë gjithë jetës. Ai gjithashtu çmoi punën e Vokrrit të cilën e ka bërë edhe në arenën ndërkombëtare.

Hoti: Vokrri mbetet legjendë edhe për brezat që vijnë

“Ne që jemi rrit me legjendën e futbollit, Vokrri ia kemi borxh familjes së tij për të treguar të gjitha nderimet për këtë legjendë që e ka bë historinë më të re të Kosovës. Edhe në sport në punën që së bashku me ministrat në qeveritë e mëparshme, të gjitha këto aktivitet që janë kryer për të dërguar Kosovën aty ku e ka vendin në FIFA dhe në UEFA, një sukses i jashtëzakonshëm që iu ka dashur Qeverisë së Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Padyshim Vokrri mbetet legjenda edhe për brezat që vijnë”, deklaroi Hoti.

Ministraj për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi u shpreh se Fadil Vokrri ishte ai i cili i jepte shpresë qytetarëve për pavarësinë e Kosovës. Ajo gjithashtu deklaroi se kjo shtatore pritet të kushtojë 49 mijë euro, dhe pritet të vendoset pranë stadiumit që gjithashtu mban emrin e legjendës.

Dumoshi: Fadili i jepte shpresë Kosovën për pavarësi

“Fadil Vokrri mbetet legjenda kombëtare e futbollit të Kosovës, sidomos në kohët më të vështira të vendit, kur Fadli ishte në fushë me gjeneratën e vet i jepte shpresë Kosovës për pavarësinë dhe lirinë e saj. Ne si MKRS do ta çojmë amanetin e tij deri në fund duke e mbështetur sportin. Ne sot jemi krenar që jemi pjesë e familjes, UEFA-s dhe FIFA-s dhe tash ne si qeveri, si ministri do të punojmë shumë për avancimin e sportit dhe tash në veçanti futbollit por edhe të gjitha sportet tjera”, potencoi Dumoshi.

Fituesi i konkursit për shtatoren e Vokrrit, Agron Blakçori u shpreh se është nder për të për të punuar një shtatore të tillë. Deri më tani ai ka punuar edhe disa shtatore tjera, duke përfshirë këtu edhe shtatoren të heroti shqitar, Ali Ajetit, shtatore kjo e cila është vendosur në qytetin e Podujevës.

Blakçori: Është nder për mua të punoj shtatoren e Vokrrit

“Konkursi është shpallë edhe ka pasur të drejtë çdo artistë me marrë pjesë. Unë kam qenë një nga pjesëmarrësit. Me sa di, sepse çdo herë kur të aplikon e merr fletën ku dihet sa aplikues kanë qenë. Kemi qenë tre persona dhe përzgjedhjen e kanë bërë komisioni, sigurisht që e kanë përzgjedhë më të mirën. Për mua është një nder që kam me pas rast me punu këtë shtatore sepse është shtatore e veçantë, është një rast i rrallë për skulptorët me punu një sportist. Jemi mësuar në Kosovë, se çfarë shtatore kemi edhe sigurisht që është përgjegjësi. Unë mezi s’po pres të marr bucetën dhe me fillu me realizu punimin.

Djali i legjendës, Gramoz Vokrri gjatë ceremonisë së prezantimit të bucetës së shtatores së babait të tij u shpreh se kjo bucetë ngjasonte më së shumti me të dhe me meritë është shpallur fituese. Gjithashtu ai bërë të ditur se ka qenë vet në komision dhe së bashku me komisionin kanë bërë një punë të pavarur.

Vokrri: Kjo bucetë ngjasonte më së shumti me babain

“Natyrisht është një ndjenjë e përzier si çdoherë kur lidhet me futboll sepse futbolli zakonisht na gëzon. Për mu e ceka edhe më herët është ditë përgjysmë, sepse natyrisht që dhimbja mbizotëron sot për mua, por edhe njëherë po e përsëris nuk jam i vetmi në këtë rast. Duke i parë të gjithë njerëzit gjithë përkrahjen, gjitha mesazhet që më kanë ardhur sot nga Kosova dhe jashtë Kosovës me të vërtetë sot është qershia mbi tortë për veprën e babit të nderë.... Sigurisht që kam qenë pjesë e komisionit. Kanë qenë tri figura të ndryshme më duket, kjo ka qenë më e përafërta sa i përket gjesteve edhe mu bë qejfi që u përzgjedh në kohën kur ka luajtur.

Përfundimi i kësaj shtatore pritet të ndodh në muajin tetor, ndërsa Vokrri i pyetur nëse kjo datë lidhet me Fadil Vokrrin ai u shpreh që shpreson se inaugurimi i saj të lidhet me fitoren e Kosovës ndaj Maqedonisë si dhe kualifikimin e Kosovës në Kampionatin Evropian.

Kujtojmë që Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. Ai u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës në mandatin e tij të dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat