LVV refuzon përfshirjen, Kosova përsëri pa unitet të brendshëm në dialog

Aktuale

LVV refuzon përfshirjen, Kosova përsëri pa unitet të brendshëm në dialog

Më: 9 qershor 2020 Në ora: 20:32
Arbërie Nagavci

Kosova përsëri do të shkojë pa unitet në dialogun me Serbinë.

Çdo qeveri që ka ardhur ka premtuar se do të krijojë unitet në këtë proces por që asnjëra nuk e ka arritur.

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk do të marrin pjesë në procesin e dialogut të drejtuar nga qeveria e Avdullah Hotit.

“Heqja e masave të reciprocitetit jo vetëm që nuk i ka krijuar kushtet për dialog por e ka përkeqësuar pozitën e Republikës së Kosovës. Ky është lëshimi i parë i pa nevojshëm dhe i pajustifikueshëm që e ka bërë kjo qeveri. Sigurisht se ne nuk do të bëhemi pjesë e këtyre bisedimeve pa parime derisa në ish-Qeverinë Kurti ne e kishim të përcaktuar saktësisht në programin tonë qeverisës gjithë platformën për dialogun. Tashmë kemi një kryeministër që me vullnet të plotë e sjell në pozitë të pafavorshme Republikën e Kosovës akoma pa filluar mirë dialogu”, ka deklaruar Nagavci.

RTV Dukagjini ka dashur të mësoj edhe qëndrimin e partisë tjetër opozitare për këtë çështje por që të njëjtit nuk kanë dashur të deklarohen.

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri thotë se Kosova i ka disa platforma për dialog por që nuk zbatohen asnjëra. Ndërsa për mos unitetin fajëson raportet mes opozitës dhe pozitës.

“Kosova ka disa platforma për dialog që i ka miratuar në Kuvend. Mirëpo Kosova nuk i zbaton platformat e veta pasi që kur subjektet janë në opozitë janë kritikuese kur janë në pushtet bëjnë kompromise. Te ne opozita gjithmonë pengon shtetin ose qeverinë. Kjo mendësi duhet të kapërcehet”, deklaroi Ramush Tahiri.

Heqja e reciprocitetit nga ana e qeverisë thuhet se i ka hapur rrugë dialogut Kosovë-Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat