Rikthimi i nxënësve në shkollë në kohë pandemie

Aktuale

Rikthimi i nxënësve në shkollë në kohë pandemie

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 11:51
Nxënësit e shkollës "Faik Konica" në Prishtinë, duke bartur maska mbrojtëse.

Mbi 50 mijë nxënës të shkollave fillore dhe atyre të mesme i janë kthyer shkollës për disa ditë për t’u përgatitur për mbajtjen testit të arritshmërisë dhe atij të maturës.

Përfaqësues të shkollave dhe të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se tashmë kanë marrë të gjitha masat që nxënësit të mos sëmuren me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë nxënësit janë të pajisur me doreza dhe maska të tejdukshme që mbrojnë të gjithë fytyrën. Në hyrje të shkollës tashmë është vendosur edhe tuneli dezinfektues.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Jehona Oruqi, i tha Radios Evropa e Lirë se në këtë shkollë po mbajnë mësim nga dita e hënë (8 qershor), 130 nxënës të klasave të nënta, e që do të zgjasë dy javë.

“Ne i kemi pesë paralele të klasave të nënta në shkollën tonë dhe janë të ndarë në grupe, nga 13 nxënës. Nxënësit janë të shpërndarë në dhjetë dhoma të mësimit. Gjithashtu janë të ndara edhe në ditë. Gjithsej janë 130 nxënës, por sot kanë qenë vetëm 65 nxënës. Pra, mësim efektiv mbajnë vetëm 5 ditë”, tha ajo.

Sipas Oruqit, fëmijët janë ndarë në dy grupe ku nxënësit pesë ditë do të jenë në bankat e shkollës, derisa pesë ditë tjera ata mësimin do ta zhvillojnë online, përmes aplikacionit 'Zoom'.

Aplikacioni më i përdorshëm për mësim nga distanca mbetet ‘Zoom’, ku më shumë se dy persona mund të komunikojnë përmes audios dhe videos. Ky aplikacion është duke u përdorur në shumë vende të botës për mësime në distancë.

Testit të arritshmërisë në Kosovë do t’i nënshtrohen 25 mijë e 400 nxënës të klasave të nënta, derisa 25 mijë e 800 nxënës do t’i nënshtrohen testit të maturës, tha Besa Bytyqi, zëdhënëse në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Vazhdim i mësimit është bërë sipas masave të parapara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Renea Munishi, nxënëse e klasës së nëntë, e cila vijon mësimin në shkollën fillore “Ismail Qemajli” në Prishtinë, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se ndonëse ka pasur frikë nga virusi, ajo thotë se në shkollën ku ajo vijon mësimin, po ndjehet e sigurt, pasi gjatë gjithë kohës po ruhet distanca dhe të gjithë kanë maska e doreza.

“Jam kthyer përsëri në shkollë për shkak se jam në klasën e nëntë dhe duhet të përgatitem për testin e arritshmërisë. Do të mësoj në nëntë lëndët që përfshihen në test, dhe mësimi do të zgjasë dy javë. Mësimi po mbahet me orar të shkurtuar dhe po fillon në orën 9 të mëngjesit dhe po përfundon në orën 11:00. Para se të fillojë mësimi duhet të bëhemi rresht, të vendosim maskat dhe dorezat dhe të mbajmë distancë, e cila vlen edhe brenda objektit të shkollës”, tha ajo.

Edhe në këtë shkollë fëmijët janë ndarë në grupe të vogla në çdo klasë në mënyrë që të ruhet distanca fizike.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit thonë se mësimi nuk ka nisur në Komunën e Malishevës dhe atë të Junikut, pasi është thënë se atje nuk janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme. Autoritetet kanë thënë se mësimi në këto dy komuna do të fillojë gjatë kësaj jave.

Qeveria e Kosovës ka mbyllur të gjitha shkollat në muajin mars kur u paraqiten rastet e para me koronavirusin e ri./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat