Kurti: “Presidenti është hajn”

Aktuale

Kurti: “Presidenti është hajn”

Më: 12 qershor 2020 Në ora: 16:52

(E plotësuar) - Lëvizja Vetëvendosje për rreth 2 orë ka mbajtur një manifestim për të shënuar 12 vjetorin e çlirimit të vendit dhe 15 vjetorin e themelimit.

Në fund te manifestimit, masës ju drejtua lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Nga bina, Kurti u tha se 21 vjet janë shumë për gjendjen aktuale në Kosovë qe sipas tij është me shumë padrejtësi në jetën politike.

Kurti tha se 21 vjet më parë liria u fitua me gjakun e dëshmorëve e betejat e UÇK-së.

Ai përmendi gjenocidin, përdhunimet e vrasjen e mijëra civilëve nga forcat serbe.

Tha se u janë mirënjohës NATO-s dhe shteteve të Bashkuara të Amerikës për çlirim por qe sipas tij, pas çlirimit nga okupatori serb, ka filluar sundimi nga brenda.

Image

Kurti: Kemi shumë dëshira për të ardhmen

“Pas këtij çlirimi nga okupatori i jashtëm pati filluar një sundim nga brenda. Njëherë përmes UNMIK-ut, pastaj përmes një klase të politikanëve të cilët në emër të çlirimit filluan zhvatjen e pasurisë publike dhe shkaktuan varfërinë e popullit. Kemi shumë dëshira për të ardhmen dhe shumë ankth për të tashmen”, tha Kurti.

Kurti tha se disa familje kanë kapur të gjitha institucionet dhe kanë vjedhur gjithë pasurinë.

Kurti tha se ata që e kanë kapur shtetin u kapën bashkë kundër qeverisjes së mirë, e sipas tij shteti i kapur nuk e duron qeverisjen e mirë dhe të korruptuarit nuk e durojnë drejtësinë.

Kurti: Qeveria Koti për kumbar e ka presidentin

“Presidenti nuk bashkëpunim të Vetëvendosje por gjeti të LDK, udhëheqja e së cilës e braktisi qeverisjen e mirë dhe qytetarët që u premtoi qeveri të ndryshimit. E tani janë bashkë në një qeveri Koti qe për kumbar e ka presidentin. Mirë qe janë bashkë sepse bashkë kanë qenë që 21 vjet në vjedhje e zhvatje e korrupsion”, tha Kurti.

Kurti tha se në ketë kohë ranë maskat e një kaste politikanësh të korruptuar. Ai tha se është një sistem politik në Kosovë ku blihet e tregohet vota e deputetëve.

Kurti: Sfida, çlirimi i Kosovës nga korrupsioni e kapësit e shtetit

“Sfida jonë 21 vjet pas çlirimit nga Serbia mbetët çlirimi i Kosovës nga korrupsioni e kapësit e shtetit. Në këtë sfida nuk na ndihmon askish , kjo sfide na takon ne, të ndërtojmë shoqërinë e shtetin që duam”, tha Kurti.

Kurti tha se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje është mirëqenia e qytetarët.

Kurti: Jemi bashkë për shtet të zhvillimit

“Jemi bashkë për gjykatës profesionalë, për shtet të zhvillimit, zgjedhje të lira e të ndershme, për të zgjedhur liderët që nuk na mashtrojnë e zhgënjejnë, jemi bashkë për Mitrovicën, Trepçën e Ujmanin...jemi bashkë për të zgjedhur një president që na përfaqëson të gjithëve, që na nderon e lehtëson me punën e dinjitetin e tij”, tha nder të tjera Kurti.

***

Ish-kryeministri Albin Kurti e ka quajtur presidentin e Kosovës hajn.

“Javën e kaluar presidenti ka ngritur një dilemë. Dilemën se a është hajn apo nuk është hajn”, tha Kurti.

“Një qytetar i ri, mbase student, nga ky shesh e quajti presidentin hajn, ama pa ia përmendur emrin. Mirëpo truprojat private të tij e ditën që e ka fjalën për presidentin. Prandaj edhe iu vërsulën qytetarit student. Ne nuk kemi ende prokurori të guximshme që do ta vërtetonte hajninë e presidentit”, tha Kurti.

“Presidenti është hajn, por jo edhe jo shumë gjatë, edhe ndonjë muaj, ai do të shkojë dhe nuk do të mund të vjedhë më. Ashtu sikurse sot që Njazi Thaçi nuk mund të vjedh në KEK e Bedri Istrefi në Telekom”, u shpreh tutje ish-kryeministri.

Kurti tha se “ne nuk e kemi pranuar vendimin e Kushtetueses sepse ishte i padrejtë”.

“Thaçi në orën 1 pas menate shantazhonte deputetët. Kjo qeveri me vota të kontrabanduara është zgjedhur për të bërë dëme e jo punë”, tha Kurti.

***

Ish kryeministri i Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka folur në tubimin e thirrur nga kjo parti në sheshin Skenderbeu në Prishtinë.

Ai tha se bota po kalon në një kohë të vështirë.

“21 vite janë tepër shumë me këtë gjendje në Kosovë me kaq shumë padrejtësi në jetë e politikë. Këta muaj që i lamë pas ishin muaj të mungesës, munguam në shumë ditëlindje e festa, munguam në diplomimin e fëmijëve e në ngushëllime. Është ky aspak vit i zakont, me një pandemi të paparë që nuk ka shkuar ende. Dua të filloj sot me një falënderim prej secilin prej jush që keni ardhë këtu në këtë ditë të rëndësishme për shqiptarët. Dua të falënderoj të gjithë, por gjithashtu edhe diasporën tonë, që me mendje e me zemër dolën përkrah nesh, dua të falënderoj edhe punonjësit shëndetësorë që kanë bërë e po bëjnë punë heroike në kujdesin ndaj qytetarëve, si dhe policët që kanë mbi supe ruajtjen e rendit dhe ligjit.”, tha Kurti.

Ai tha se para 21 viteve, Kosova e fitoi lirinë.

“Para 21 viteve, këmbësoria e NATO-s hyri në Kosovë duke shënuar fundin e luftës dhe çlirimin e Kosovës, sot ne festojmë lirinë e fituar me gjakun e dëshmorëve, me betejat e UÇK, por sot kujtojmë edhe masakrat, vrasjet, dhunimet, dëbimet e djegiet.”, tha Kurti

Por sipas tij, pas çlirimit nga Serbia, duhet të ndodh edhe çlirimi i Kosovës nga korrupsioni.

“Pas çlirimit nga Serbia, duhet të ndodh çlirimi i Kosovës nga korrupsioni, këtu nuk na ndihmon askush, këtu duhet vet ne qytetarët ta bëjmë. Sot festojmë edhe ditën e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje”.

***

Ish-ministrja e Drejtësisë dhe anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu ka folur në tubimin e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

“LVV në 15 vjetorin e themelimit e gëzon mbështetjen më të madhe nga qytetarët e Kosovës.”, tha Haxhiu.

“Mbërritja këtu është rezultat i punës dhe angazhimit. Në dhjetorin e vitit 2010 LVV mori pjesë për herë të parë në zgjedhje duke u bërë pjesë e Kuvendit. Angazhimin tonë në kuvend e jetësuam për të shtuar në realizimin e synimeve. E përballë nesh, patëm individë e grupime që morën vendime në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, abuzuam me detyrën zyrtare dhe e zhvatën pasurinë e Kosovës. Hajnat n’burg, por hajnat shkojnë në burg vetëm kur qeverisë Lëvizja Vetëvendosje. Betejat tona shpesh ishin të vështira. Ne u kalitëm në përballje me të padrejtë, e në përpjekje të sinqerta, ku vendit i dhamë frymën e debatit dhe mendimit. Ne e ngjallëm virtytin e kritikës dhe nivelin e përfaqësimit sepse hymë në kuvend jo për t’u rehatuar, por për ta transformuar, opozita për ne nuk ishte debat, ishte rezistencë. Nuk u frikësuam dhe as nuk mundën të na shantazhojnë, pas çdo përballje dolëm edhe më të fortë, siç jemi sot.”, tha Haxhiu

Ajo në fund tha se qeveria Hoti nuk do të jetë jetëgjatë.

***

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur në tubimin e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka folur edhe për pandeminë duke falënderuar qytetarët, mjekët, infermierët, psikologët dhe kushdo që ka ndihmuar.

Image
Arben Vitia

“Çdo ditë në organizimin politik është ditë e kapërcimit të vetës, sot duket se u kapërcyen të pakapërcyeshmit, shfaqen kreshta të reja, një nga këto kreshta sapo e kapërcyem në këmbë dhe solidarë. Të tjera sfida kemi përpara, ndoshta edhe më të rënda, por këto sfida janë fitore që na ngjitin në maja më të larta ku do të duket edhe më shumë drita. Së bashku do të kalojmë çdo sfidë me vizion e vullnet, pa u ndalur. Gjatë këtyre muajve e kemi parë se sa është i rëndësishëm vullneti i mirë, aktivisti, qytetari aktiv dhe puna vullnetare. Betejen me pandeminë do ta kishim të pamundur pa mjekët, pa infermierët, pa studentët, pa psikologët që kanë rrezikuar vetën për të shpëtuar dhe për të na shërbyer neve.”, tha Vitia.

Ish ministri Vitia ka folur edhe për vullnetarët dhe aktivistët e VV-së.

“I duam të vendosurit, të vendosurit e vullnetit, ata që vullnetshëm e bëjnë hapin e parë. I duam shërbyesit e vendit, të përkushtuarit e kujdesit, ata që nuk përzgjedhin por përfshihen, i duam mbrojtësit ata që i rrinë rrezikut me vetëdije, i duam mjekët e infermierët, trimërueset e të tanishmes, i duam vullnetarët sepse ata nuk i duan falënderimet, ngase vullnetarët motor të veprimit e kanë ndihmën. Qofshin ata vullnetarë, ngritja e vendit tonë”, tha Vitia.

***

Në tubimin e VV-së ka folur edhe deputetja e kësaj partie, Saranda Bogujevci.

Ajo ka treguar se e ndanë këtë ditë edhe si ditëlindja e saj.

“Në fakt do të ishte dashur të kemi shumë arsye për të festuar, falë luftës së UÇK-së, ndihmës së NATO-s dhe popujve miq kudo në botë, në këtë ditë, 21 vite më parë u çliruam nga regjimi i Millosheviqit e nga Serbia, por për herë të parë u çliruam për të qenë të pavarur e të lirë. Po në këtë ditë lindi Lëvizja Vetëvendosje, sot Lëvizja gëzon 15 vite të ekzistencës të saj dhe dua të them që jam me fat dhe e nderuar që jam pjesë e saj dhe sot si Lëvizje jam së bashku me ju. Sot unë me ju po e festoj edhe ditëlindjen time. Përveç që ndaj ditëlindjen me Lëvizjen, e ndaj po ashtu ditëlindjen me vajzat e axhës që i mbijetuan luftës bashkë me mua, gjithashtu edhe me kushërirën time edhe Valbonën, po ashtu në këtë ditë është lindur Ana Frank që nuk iu mbijetoi kampeve.”, tha Bogujevci.

Image

Ajo tha se askush nuk guxon të shkelë mbi sovranin dhe qytetarin.

“Kemi dhënë shumë për këtë ditë, por për të festuar lirinë që e kemi tani, do të duhej të ndërtonim shtet të fortë, shtet demokratik, të barabartë, ne ende nuk kemi mund t’i heqim pengesat që e pengojnë aspiratën tonë. Ne së bashku mund të ndryshojmë vendin tonë. Askush nuk guxon të jetë mbi sovranin dhe qytetarin e këtij vendi.”, tha Bogujeci.

Bogujevci ka thënë gjithashtu se së shpejt do të ketë zgjedhje në Kosovë ku edhe do të marrin të drejtën të vendosin për zgjedhje.

***

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, në tubimin që po për të shënuar 21-vjetorin e çlirimit të vendit dhe 15-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Aliu tha se sot po festohet përvjetori i dyfishtë, në sheshin ku sipas tij bëhet thirrje për liri dhe barazi tash e sa vjet.

Në manifestimin për 15 vjetorin e themelimit të LVV-së dhe 21 vjetorin e Çlirimit të Kosovës, Aliu tha se sot po kujtohet këmbëngulja e djemve dhe vajzave, duke shtuar se para 15 vitesh u themelua LVV, se kishte shumë për t’u bërë për vend.

Image

"Në këto ditë përvjetorësh LVV mbledh forcat e para. E mua kujtesa më kthen tek organizimet që kishim në selinë në Pejton. Në përvjetorë të tillë plot kujtesë, sot jemi dyfishur. Dashuri për qytetarët, për popullin tonë të vuajtur, pasi kur vepron pranë qytetarët, populli e kupton që lëvizje do të thotë të bësh ndryshim të thellë në këtë vend. E mbi të gjitha ta bësh me popullin, populli nuk të braktis as nuk të lë ta braktisësh", tha Aliu.

***

Zyrtari i lartë i VV-së nga Shqipëria, Boiken Abazi, në fjalimin e mbajtur në tubimin e VV-së, thotë se muajt në vijim janë vendimtare për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës.

Abazi tha se me LVV-në fillon edhe “Pranvera Shqiptare”

“E gjitha Shqipëria i kishte sytë nga Kosova këtë pranverë. Shqipëria e ndjeu se Vetëvendosjes iu bënë padrejtësi dhe prandaj jemi sot dhe gjithmonë me ju. Kosova po e përjeton çlirimin e dytë u ndje fillimi i pranverës shqiptare. Muajt që vijnë janë vendimtare dhe do të ndalim çdo plan për copëtim” tha Abazi.

Image
Boiken Abazi

***

Deputeti Liburn Aliu, para turmës së mbledhur të mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se sot është tubim i dyfishtë. Për Ditën e Çlirimit të Prishtinës, dhe 15-vjetorit të themelimit të VV-së.

“Jemi popull kryengritës që nuk heq dorë nga liria e tij”, tha ai.

Aliu tha se brenda një viti, kur edhe u themelua, VV-ja ka bërë qindra aktivitete.

“Sot jemi shumëfishuar e jemi të parët, po bëhemi më shumë se gjysma e popullit”, tha Aliu.

Aliu para qindra qytetarëve, tha se “dashurinë për popullin e vjedhur e të vuajtur”, VV-ja gjithmonë e ka pasur.

“Duke qëndruar para qytetarëve populli e kupton se Lëvizje do të thotë të bësh ndryshim të thellë”, tha ai.

***

Me himnin kombëtar, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur tubimin e sotëm në sheshin “Skënderbeu”.

Himni, është këndur drejtpërdrejt.

Ndërkohë, në turmën e mbledhur janë dëgjuar brohoritjet “Duam zgjedhje”, dhe “Me hajna, nuk ka shtet”.

Image

***

Lëvizja Vetëvendosje po mban tubim për të shënuar 21-vjetorin e çlirimit të vendit dhe 15-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Tubimi po mbahet në sheshin "Skënderbeu", në Prishtinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat