Çun Lajçi me vargje emocionuese për gazetarin e ndjerë Llukman Halilit

Aktuale

Çun Lajçi me vargje emocionuese për gazetarin e ndjerë Llukman Halilit

Më: 13 qershor 2020 Në ora: 13:49
Çun Lajçi

Aktori, Çun Lajçi përmes llogarisë së tij në Facebook ka reaguar për vdekjen e gazetarit, Llukman Halilit.

Lajçi ka shkruar se i ndjeri Halili, ka lënë amanet ta varrosin në Bremgarten të Zvicrës, me qëllimin që fëmijët e tij ta kenë më të lehtë për t’i shkuar te varri.

Lajçi madje thotë se priste momentin kur do të liroheshin linjat ajrore për të shkuar te shoku i tij, Halili.

Kujtojm, se sot ka ndërruar jetë gazetari i njohur nga Tërnoci i Bujanovcit, Llukam Halili.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të martën me 16 qershor 2020 në Zvicër.

Postimi i plotë i Lajçit:

 

Paska fjetë Lluki, përgjithmonë Mirashe!

E sheh si ikin vitet, si ikin njerëzit. Flasin, qeshin, shkruejnë, shajnë, këndojnë, mallkojnë, lavdërojnë, e nji ditë veniten n'shtratin e vdekjes!
Iki thonë edhe filani! Shpirti n'paqe i pushoftë!
Ishte i mirë, fjalë mirë, burr i mirë.
Për t'vdekunin vetëm fjalë t'mira Mirashe!
Unë druej se fjalët e tilla, do t'mungojnë për mua, kur ta kaloj prronin me ardhë te ti, se folë kam për t'bardhat e për t'zezat, e s'kam heshtë.
Por shqiptari don vetëm lavde!
E ke njoftë edhe ti Llukin, Llukmanin, gazetarin e Ternovcit. N'Interlaken takue e kemi, kur ishim n'zgjedhjen e sportistit t'vitit, para nji dekade e sa!
Sot paska ardhë andej dikah, por jo te ti. Eshtnat paska thanë m'i leni afer fëmijëve n'Bremgarten, që ta kenë ma leht me i shkua të varri!
E disha se asht nisë asaj rruge, por pritsha m'u çua avionet, me shkua me pa, e t'falat me t'i çua për shokun tim.
Haqif Haziri m'tregoi. I dridhej zani tue folë për shokun e vet, Llukman Halilin, që e bante piskamë, me barcoleta, sa herë takoheshim n'Kilivangen, të hoteli i Haqifit!
Të gjitha sot ia bani hallall, ky djali i Sofisë, që asht mësua me dhimbje! Foli Haqifi, e shpirti për Lluken i qau!
Ikin njerëzit, si ti Mirashe, por kurrë s'do ta di: Shkojnë pse iu bahet tepër me neve, apo pse duen t'na tregojnë se ka edhe nji jetë tjetër!
Edhe ai merrej me punët e veta, si unë që shahem, pse e shajë vetën.
Ku po e qet, m'thonë? Kush po ta nxen rrugën?
Pse i thue vetës kompir, kopil, stërkopil? Pse s' i mallkon ata që t'ropen ty e neve?
S'ta mbanë zuzbica, prandaj i mëshon rradakes tande!
Kur i nemë, ata që e vjedhin popullin, t'shajnë, të truejnë, ta bajnë benë, vorri ta lagin!
Po, Mirashe po. E pi dhimbjen time, tue ia nxanë vetës rrugicat, e tue m'dalë punë me të tjerët, që ecin autostradave!
Shpirtin e ushqej me tregimet për qenin, lopën, kalin, e punë u del të tjerve, pse e nemi vetën, e shajë jetën time, e mallkoj fatin tim, e kambët e mia t'plakuna, që s'me çojnë ma të varri yt n'Drelaj.
Po Mirashe, yt at shahet kur flet për hajnin, t'pasunuemin me djersën e popullit. Kërcnohet kur shkruen për shitsin, tuxharin, tregtarin, që me tokat e atdheut ban pazar me vrasesin, dhunuesin, përdhunuesin e nanave, motrave, nuseve tona, t'vitit 99-të! Kështu u kërcnua edhe Llukmani, sa e sa herë, kur shkroi në Bota Sot!
Hesht m'thonë, theje kambën. Ik të gropa jote, e prite orën e zezë!
M'thonë gjithçka, mua që i ha shkronjat e mia, rolet e mia t'harrueme.
Vetëm lahuta m'ka mbetë, ajo e babës, e vjetër sa vet shpella e Dragobisë!
Mua m'thonë, që mbaj shtëpi me nji pension mjeran, jo atyne që vodhen tash e 20 vjet n'emën t'lirisë, n'emën t'gradës, nemën t'nofkës fitua maleve, për aç sa luftuen!
Prap po i kthehem Cornerit, kafiterisë sate, me shpresën mos po kalon ti Platosë me Ninon e lazdruem!
Por jo, s'je ti, as Dushka, as Ahmeti, As Violeta, as Nexhmia, as dhe as dhe as!
Vetëm yt at e Isufi n'Drelaj, ulun si cung n'oborr, që pret m'u errë nata e mos m'u zbardhë ma kurrë. Me pru te guri yt, mixhën tand, që s'ecë e s'sheh dy dekada!
Po Mirashe, këtu n'Plato jam, tue pritë me m'thirrë dikush, si Haqifi, e me m'tregua se kush vdiq sot e kush lindi, andej nga Zvicrra, Gjermania, Amerika!
Siç paska vdekë sot Llukmani.
Unë i habis mendet e mia me do tregime, e poezi, qe vetëm t'pa punët e facebookut m'i lexojnë.
Harrova me t'thanë, se javën që shkoi, e shkela Grykën e Rugovës me shtatë dekadat e mia, tue u mundua m'u kthye n'kohën e rinisë, që s'kthehesh!
T'erdha edhe të varri, e t'i mbjella do lule. Kur mbrrina n'Prishtinë, u ula n'Cornerin tand e u treta n'vargje. Tregimet për gjelin, pantollat,kalin, nanën e babën, ishin ato që m'prunë kambë prej Pejes të varri yt.
Tash po dal, po kthehem n'kafen Omel, që prap u çel mbas tri vitësh, por me emën tjetër, Paparazzio, dhe aty po e pi kafën pë ty.
P.S
Ninon s'e ke ma!
I ke vetëm lodrat e tij, e krahnin që ia heqshim pleshtat, kur e lajshim me shampon t'morrave!

Dardani,
Paparazzio Caffe food, 13.06.2020

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat