Gashi: Putini e vërtetoi se rusët s’mendojnë për serbët, por për vete

Aktuale

Gashi: Putini e vërtetoi se rusët s’mendojnë për serbët, por për vete

Më: 14 qershor 2020 Në ora: 18:50
Ibrahim Gashi

Presidenti i Federatës së Rusisë, ka dhënë një intervistë për tv rus “Russia 1”, në të cilën ndër të tjera ka komentuar edhe hyrjen e papritur të forcave ruse në Kosovë më 11 qershor të vitit 1999.

Citate të kësaj interviste, kanë sjellë shumë medie në rajon, duke nënvizuar mendimet e Putinit, që në atë kohë, siç ka deklaruar vet ka qenë Sekretar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë.

“Mund të flas sesi ka ardhur (vendimi për marrjen e aeroportit). Atëherë kam qenë Sekretar i Këhsillit të Sigurisë. Mu afrua kreu i Shtabit të Përgjithshëm, atëherë gjeneral Kvashnjini, dhe më tha se ekziston ideja që të merret ky aeroport. Në pyetjen ‘Pse’, u përgjigj se, është e qartë se një ditë do të shkojmë,porse do të kemi për çfarë të negociojmë. Kështu që, i thashë: nëse e shihni të arsyeshme, ashtu edhe veproni”, ka deklaruar Putini në intervistë lidhur me hyrjen e forcave ruse, jashtë marrëveshjes me partnerët perëndimorë në Kosovë.

Lidhur me këtë ka folur profesori universitar Ibrahim Gashi. Në një prononcim, Gashi ka thënë se Putini e pranoi vet se hyrja e kontigjentit rus në Aeroportin e Prishtinës më 11 qershor 1999 ishte bërë për interesa kryekëput të Rusisë dhe në asnjë mënyrë të mbrojtjes së serbëve lokalë.

"Ajo se çfarë deklaroi Putini, dëshmon qartë se, Rusia kurrë nuk ka menduar për serbët, as të Kosovës e as të ndonjë pjese tjetër. Ajo ka kalkuluar dhe vazhdon të kalkulojë vetëm per interesa të saj. Ai për dallim prej NATO-s, intervenimin në Kosovë e ka parë nga këndvështrimi i pozicionimit gjeostrategjik të Rusisë. Ta rrisë çmimin e ndonjë pjese diku më afër Rusisë, dhe pastaj të largohet nga Aeroporti i Prishtinës", ka deklaruar Gashi.

Më 11 qershor të vitit 1999, rusët hynë në Kosovë, pak orë para se të hynte NATO në Kosovë, gjë që shënoi çlirimin e Kosovës, pas bombardimit 79 ditësh në aparatin gjenocidial të Serbisë. Të nesërmen, në Aeroportin e Prishtinës, ku ishin pozicionuar rusët, për pak sa nuk ndodhi konflikti i armatosur mes tyre dhe britanikëve. Ish-Gjenerali amerikan i NATO-s, Uesli Klark pati thënë se ai ishte i gatshëm që me forcë t’i detyronte rusët që të largohen nga Aeroporti, porse kësaj iu kishte shmangur Gjenerali britanik Majk Xhekson, i cili ishte komandant i KFOR-it.

Kontigjenti i trupave ruse nga Kosova është tërhequr përfundimisht në korrik të vitit 2003. Qëndrimi 4 vjeçar i tyre në Kosovë shënoi shumë skandale, që nga vrasja e tre serbëve në afër Gjilanit, përpjekja për rrëmbim të femrave në lokale nate dhe shumë incidente të tjera.

Shumica shqiptare në Kosovë asnjëherë nuk i mirëpriti, përkundrazi protestoi në të gjitha lokalitetet ku rusët operonin në kuadër të misionit të KFOR-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat