Dy raste të reja me koronavirus në Ushtrinë e Kosovës

Aktuale

Dy raste të reja me koronavirus në Ushtrinë e Kosovës

Më: 17 qershor 2020 Në ora: 11:26
Foto

Pandemia e koronavirusit që ka prekur gjithë globin po vazhdon të jetë prezent ende në mesin tonë. Numri i rasteve me infektime të reja dhe vdekje nga Covid-19 po vazhdon të rritet. Nga ky virus janë infektuar më shumë se 8 milionë, ndërsa kanë vdekur rreth 500 mijë njerëz.

E numri i të infektuarave me koronavirus së fundmi ka nisur të rritet edhe në Kosovë. Sipas publikimeve të IKSHPK-së, vetëm brenda një jave janë regjistruar rreth 500 raste me Covid-19.

Virusi ka prekur persona nga bizneset e ndryshme, si dhe institucionet private dhe ato publike.

Pa u prekur me virus nuk kanë mbetur as pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Që nga 13 marsi kur edhe u regjistrua rasti i parë me koronavirus, në FSK janë prekur gjithsej 9 pjesëtarë, duke përfshirë këtu edhe dy rastet e reja që u regjistruan para pak ditësh.

Infektimin e dy ushtarëve këtyre ditëve e konfirmojnë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus edhe nga Ministria e Mbrojtjes.

“Që nga fillimi i pandemisë COVID -19,   në FSK kanë qenë 9 raste pozitive,  7 janë të shëruar plotësisht dhe 2 raste të reja janë duke u trajtuar në vetë izolim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes, duke mos dhënë shumë detaje për rastet e fundit.

Njëri nga pjesëtarët e prekur me Covid-19 është i angazhuar në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.

Ndryshe nga 8 shkurti deri më 16 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 19.312 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

Nga testimet e deritashme pozitive kanë rezultuar 1.756 raste. Deri tani nga Covid-19 janë shëruar 968 persona, ndërsa janë 34 pacientë që kanë vdekur pas infektimit me koronavirus, por që kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat