Në vijën e parë të frontit, duke ofruar shërbime të punësimit

Aktuale

Në vijën e parë të frontit, duke ofruar shërbime të punësimit

Më: 17 qershor 2020 Në ora: 18:11
Drita Ibishi

Tash e gjashtë vite, Drita Ibishi punon si këshilltare për punësim në Zyrën e Punësimit në Prishtinë. Çdo ditë ajo takon punëkërkuesit e interesuar dhe i regjistron ata për skemat e punësimit që janë në dispozicion në zyrën lokale të punësimit.

Pjesa më e madhe e kohës së znj.Ibishi kalon duke i njoftuar punëkërkuesit me mundësitë në dispozicion të tyre, siç janë trajnimet profesionale dhe mundësitë për punësim. Ajo gjithashtu takohet me përfaqësuesit e bizneseve lokale në rolin e ndërmjetësueses në punësim, duke i ndihmuar ata të gjejnë punëkërkuesit më të mirë për t’i punësuar.

“Është privilegj dhe përgjegjësi të jesh në vijën e parë të ofrimit të shërbimeve të punësimit. Por kënaqësia për të qenë në gjendje të përshtasim aftësimet specifike profesionale dhe mundësitë e punësimit për punëkërkuesit tanë, është e pakrahasueshme”, thotë Drita.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, Drita personalisht ofroi ndihmën e saj profesionale duke ofruar këshillim në punësim për rreth 700 punëkërkues në Zyrën e Punësimit në Prishtinë. Gjatë pandemisë COVID-19, znj.Ibishi ka qenë edhe më e përkushtuar në punën e saj, për shkak të rritjes së numrit të punëkërkuesve të regjistruar, të interesuar për të aplikuar për Pakon Emergjente Fiskale.

Suksesi i Dritës është për tu lavdëruar, siç tregohet në rastin e znj.Minire Murtezi nga Prishtina. Znj.Minire është njëra nga përfitueset e shumta të masave aktive të tregut të punës. Në vitin 2019, znj.Murtezi themeloi biznesin e saj të ushqimeve tradicionale dhe ëmbëlsirave, “Tezja”, si përfituese e Programit të Vetëpunësimit.

Drita dhe Minire janë dy gra të guximshme dhe shembull, njëra duke ndihmuar punëkërkuesit të bëhen pjesë e tregut të punës dhe tjetra duke realizuar ëndrrën për të hapur biznesin e saj. Përpjekjet e znj.Drita për të punuar dhe shfrytëzuar aftësitë e saj sa më mirë, i mundëson asaj të mbajë marrëdhënie të mira me partnerët implementues siç është UNDP, në koordinimin e procesit të aktiviteteve të programit, përfshirë monitorimin.

UNDP, përmes Programeve Aktive të Tregut të Punës (ALMP 2) dhe Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) po ofrojnë mundësi punësimi për punëkërkuesit e regjistruar në Kosovë, përmes programeve të ndryshme si Vetëpunësimi, Subvencionimi i Pagave, Praktika në punë, etj.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat