Koronavirusi: Renditja e Kosovës krahas shteteve të rajonit

Aktuale

Koronavirusi: Renditja e Kosovës krahas shteteve të rajonit

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 08:39
Ilustrim

Janë bërë më shumë se 3 muaj prej kur Kosova është duke u përballur me pandeminë e koronavirusit. Që prej rasteve të para me COVID-19 në mars e deri më sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar 20 mijë e 206 persona, prej të cilëve 1,916 persona apo 9.48% e të testuarve kanë dalë se janë të infektuar.

Kosova renditet e pesta në rajon për nga numri i të infektuarve.

Me 12 mijë e 616 të infektuar, Serbia është vendi më i prekur nga koronavirusi në rajon. Maqedonia e Veriut renditet e dyta me 4 mijë e 664, Bosnja e Hercegovina e treta me 3 mijë e 178, Kroacia e katërta me 2 mijë e 269, Kosova e pesta me 1 mijë e 916, Shqipëria e gjashta me 1 mijë e 788, e shtata në listë është Sllovenia me 1 mijë e 511 të infektuar dhe e fundit në është Mali i Zi që ka numrin më të ulët të të infektuarve, 337 në total.

Pavarësisht numrit të madh të të infektuarve, Kosova regjistron numër të madh edhe të të shëruarve. Deri më tash janë shëruar 973 persona nga 1,916 të infektuar, ndërsa 34 kanë humbur jetën.

Në Kosovë aktualisht janë 909 raste aktive.

Image
Tabela

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) mbrëmë ka konfirmuar 83 raste të reja me koronavirus dhe pesë të shëruar.

IKSHPK vlerëson se pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.

“Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar. Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme sipas planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat