Rusia përdorë lajmet e rrejshme dhe dezinformatën për të fshehur dobësitë e saj

Aktuale

Rusia përdorë lajmet e rrejshme dhe dezinformatën për të fshehur dobësitë e saj

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 09:33
Ardian Kastrati

Një ndër shkakëtarët kryesor në përhapjen e lajmeve të rrejshme është mos filtrimi i informacionit dhe mungesa e vetëdijës së qytetarave për kërkimin dhe verifikimin e burimit të informacionit. E pre e lajmeve të rrejshme në raste të caktuara bijnë edhe portalet e ndryshme në vend.

Kështu u tha në emisionin “Click” të Radio Televisionit 21 u diskutua lidhur me pandeminë COVID-19 dhe ‘’Fake News’’ apo lajmet e rrejshme dhe se si ndikojnë ato në sigurinë e individit dhe në sigurinë nacionale të Kosovës.

E për të evituar rreziqet që lajmet e rrejshme sjellin, profesori universitar Ardian Kastrati apeloi që të bëhet fillimisht verifikimi i burimit të lajmit.

Aty, ai deklaroi se Rusia ka krijuar një “ekosistem” të dezinformatave dhe të lajmeve të rrejshme, e cila ka për qëllim që shpërndarja e tyre të jetë sa më madhe dhe e gjerë apo në krijimin e fenomemenit i cili tani njihet edhe si ‘’infodemia’’.

Ai paraqiti shembullin se si Rusia është munduar që shfrytëzojë për propagandë edhe pandeminë COVID-19, duke bërë shpërndarjen e shumë dezinformatave nga llogaritë të rrejshmë të rrjeteve të ndryshme sociale që për temë kanë pikërishtë këtë virus. Sipas Kastratit të gjitha këto veprime dezinformuese realizohen nga qendra ruse e krijuar në vitin 2005 nga Presidenti i Rusisë Putin me synim që të sulmojë vendet perëndimore dhe audiencat e huaja.

Në periudhën kur vendet e ndryshme të botës janë duke u përballur me menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga coronavirusi dhe zbutjen e efekteve të saj në jetën normale të njerëzve, Rusia ka një qëllim tjetër, atë të gjetjes së mënyrave alterantive për të fshehur të metat dhe dobësitë e sistemit të saj politik, ekonomik dhe ushtarak.

Në këtë kontekst Kastrati vuri në pah strategjinë e Rusisë që përmes përhapjes së lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave të mundohet të përfitojë në dy plane njëkohësisht.

“Në planin e brendshëm përmes përdorimit të lajmeve të rrejshme, Rusia mundohet t’i fshehë problemet e mëdha të brendshme me të cilat përballet ajo cdo ditë duke filluar nga sistemi i dobët shëndetësor, i cili nuk mund t’i bëjë ballë as pandemisë së COVID-19, por edhe shumë probleme në shumë sfera si ato ekonomike, financiare, ushtarake etj. Ndërsa në planin e jashtëm, përmes përdorimit lajmeve të rrejshme, Rusia mundohet që të sulmojë SHBA-në dhe vendet përndimore, të cilat janë pakrahasismisht më të fuqishmë sesa ajo. Të gjitha këto veprime realizohen nga shërbimet sekrete ruse të cilat nuk janë të njohura për profesionalizëm por për ashpërsinë e tyre, pasi që të gjitha veprimet e tyre janë zbuluar dhe denoncuar gjithmonë nga shërbimet sekrete perëndimore”, tha ndër të tjera ai.

Profesori universitar theksoi se ka një rritje të intesitetit të lajmeve të rrejshme dhe propagandës ruse në rajonin e Ballkanit, mirëpo në krahasim me vendet tjera të rajonit Kosova qëndron më mirë për shkak të angazhimit të strukturave relevante për parandalimin e këtyre dukurive.

“Madje në disa raste si në atë të mediumit rus ‘Regnum’, Rusia e pranon se nuk mund të arrijë influencë të opininionit publik në Kosovë, për dallim prej vendeve tjera të rajonit si për shembull në Shqipëri, ku propaganda dhe influenca ruse është mjaftë e pranishme”, shtoi ai.

Për dallim nga Kosova në të cilën Rusia nuk mund të fitojë terren të veprimit, sipas tij, kjo e fundit mundohet që të shfrytëzojë forma të tjera të ndikimit në rajon si atë të Kishës Ortodokse për influencë në Republika Srpska dhe Serbi. Ndërsa në rastin e Malit të Zi përmes eksponentëve pro rus, Rusia mundohet që të shkakojë protesa apo trazira të ndryshme. Kurse në rastin e Serbisë, Kastrati tha se Rusia është munduar që të shfrytëzojë rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit për të zvogëluar hapësirën vepruese të Serbisë për bisedimet për marrevëshjen gjithëpërfshirëse me Kosovën.

Në këtë emision, Kastrati ngriti shqetësimin se megjithatë disa media dhe portale të caktuara në Kosovë, në disa raste janë bërë pjesë e propagandës ruse si rezultat i mos profesionalizmit të këtyre mediave me rastin e publikimit të disa artikujve të caktuar.

Ai deklaroi se disa portale vetëm e bëjnë ‘’copy” dhe “paste’’ një artikull pa e verifikuar burimin e informacionit dhe se në disa raste shkrime të tilla mund të jenë të rrezikshme për sigurinë nacionale pasi që mund të shkaktojnë pasiguri tek qytetarët dhe opinioni publik.

Një prej rasteve më të fundit të lajmeve të rrejshme dhe dezinfomatës është ai i shpërndarjes nga disa media të Kosovës të një shkrimi të publikuar nga media ruse ‘’Sputnik’’ gjoja se si një serb i cili ështe pjesë e fushatës elektorale të presidentit Trump në SHBA do të mundohet ta bind atë që të ndryshojë qëndrimin për Kosovën. Kastrati vuri në pah se si Rusia përmes mediave si ‘’Sputnik’’, ‘’Russia Today’’, qendrave të propagandës në interent mundohet që të përhapë lajme të rrejshme tek vende të ndryshme të botës dhe se si Kosova dhe vendet tjera duhet të i paraprijnë luftës kundër përhapjes së lajmeve të rrejshme dhe shpërndarjes së dezinformatave ruse. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat