Osmani: Dikush mendoi që përmes krimit seksual t’ua marrë nderin, por ato janë heroinat tona

Aktuale

Osmani: Dikush mendoi që përmes krimit seksual t’ua marrë nderin, por ato janë heroinat tona

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 13:08
Vjosa Osmani

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka thënë se instalacioni “Bëhu zëri im” është simboli i të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Ky instalacion që do të përbëhet nga 20 mijë lule anemonë është simbol i së paku 20 mijë personave në Kosovë të cilët kanë qenë viktimë e një dhune gjenocidale, sepse pikërisht dhunimi si mjet që është përdorur gjatë luftës është dëshmia më e madhe që regjimi i Millosheviqit ka qenë regjim me synime gjenocidale në Kosovë. Këta 20,000 njerëz përkundër faktit që përjetuan më të tmerrshmen dhe përkundër qëllimit të atyre që kryen krime që t’i lënë në dhimbje të përhershme sot po e ngrisin zërin për të kërkuar nga ne që të punojmë më shumë se kurdo herë më parë për drejtësi”.

Omani ka thënë po ashtu që thirrja në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në luftë është thirrje për drejtësi.

E para e Kuvendit ka propozuar që secili përfaqësues i Kosovës që ulet në tavolinë me Serbinë duhet ta mbajë një simbol te lules anemonë – simboli i viktimave të dhunës seksuale – në mënyrë që ta kujtojë dhimbjen që ndjejnë akoma viktimat e dhunës seksuale, ashtu si edhe krimin që kanë kryer serbët.

“Kjo thirrje nuk duhet të përfundojë në Kosovë, duhet të dëgjohet nëpërmjet zërit tonë kudo në botë. Këto lule anemonë duhet t’i mbajë në veçanti secili përfaqësues i Kosovës që ulet në tavolinë me Serbinë që në radhë të parë t’ia përkujtojë vetvetes dhimbjen që akoma e kanë këta 20,000 njerëz tanë, në veçanti gratë, dhe t’ua përkujtojë përfaqësuesve serbë krimin që e kanë kryer dhe të bëjnë thirrje të gjithë së bashku që kryesit e këtyre krimeve të dalin para drejtësisë”.

Osmani iu ka bërë thirrje familjeve të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë që t’i mbështesin ata, derisa nga të gjithë qytetarët ka kërkuar që të mos i stigmatizojnë.

“Thirrja e dytë është më raport me familjet e të mbijetuarve që të jenë pranë tyre, t’i fuqizojnë ata dhe t’i japin emrin dhe vendin e  merituar – atë që u kemi dhënë në Kuvendin e Kosovës. Ato janë heroinat e vendit tonë, dikush ka menduar që nëpërmjet këtij krimi mund t’ua marrë nderin, por në fakt të gjithë ata janë shndërruar në nderin e vendit tonë”.

“Thirrja shkon për secilin qytetar që të mos stigmatizojë dhe paragjykojë, por t’ua jap përkrahjen më të madhe të gjithë qytetarëve tanë që për fat të keq e kanë përjetuar këtë krim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat