Selimi për dënimin e Darko Tasiqit: Do t’i sjellim para drejtësisë kriminelët e luftës

Aktuale

Selimi për dënimin e Darko Tasiqit: Do t’i sjellim para drejtësisë kriminelët e luftës

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 15:17
Selim Selimi

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka thënë se dënimi i Darko Tasiqit është dashtë të ndodhë më herët.

Sipas tij, gjykimi në mungesë do të ishte hap shtesë që kriminelët të paraqiten para drejtësisë.

“Sistemi jonë i drejtësisë është më i forcuar që i ndjek krimet e luftës sepse tash e kemi edhe një departament tjetër”.

“Ku është një prej rasteve që tregon që ne jemi të angazhuar për t’i sjell para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime të luftës”.

“Gjykimi në mungesë do të ishte hap shtesë që këta kriminel të paraqiten para drejtësisë dhe të ketë një përmbyllje të viktimave. Çka ka ndodhur ky dënim është dashtë të ndodhë më herët”.

Me 22 vjet burgim është dënuar Darko Tasiq, për krime lufte në Krushë të Vogël në Gjykatën Themelore të Prizreni. Darko Tasiq u shpall fajtor në dy pika të aktakuzës.

“Në mes të datave 15-26 Mars të vitit 1999, në Krushë të Vogël në cilësinë e tij si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë të Republikës Federative të Jugosllavisë apo forcave paraushtarake serbe, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake” thuhet në pikën e parë të aktakuzës ndaj Tasiq.

Ndërsa në pikën e dytë Tasiq ngarkohet edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në Lumin Drin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat