​Selimi: Jemi të interesuar që kriminelët t’i sjellim para drejtësisë

Aktuale

​Selimi: Jemi të interesuar që kriminelët t’i sjellim para drejtësisë

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 16:25
Selim Selimi

Gjykata Themelore e Prizrenit të akuzuarin për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovës, Darko Tasiq sot e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 22 vjet burg.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi tha se ky rast tregon se shteti i Kosovës është i angazhuar që kriminelët t’i sjellë para drejtësisë.

Sipas tij gjykimi në mungesë do të ishte hap shtesë që kriminelët të vendosen para drejtësisë.

Selimi: Ky rast tregon që jemi të angazhuar që kriminelët t’i sjellim para drejtësisë

“Ky është një prej rasteve që tregon se jemi të angazhuar fuqishëm për të vendosur para drejtësisë të gjithë të dyshuarit për krime të luftës. Ne kemi shumë prej tyre që kanë kryer krime të luftës dhe shumë prej tyre fshihen në Serbi ose diku tjetër. Dje e patëm çështjen e ekstradimit të një shtetasi të cilin ne kemi kërkuar të ekstradohet nga Hungaria, por ne po kemi probleme me Serbinë, e cila po dërgon kërkesa konkurruese ekstradimi për qytetarët e vet që po i përdorë atë mekanizëm ndërkombëtar për t’i mbrojtur kriminelët e vet“, tha Selimi.

Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, ish-rezervisti serb Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile në Krushë të Vogël të Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15–26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të banorëve shqiptarë në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat