​OAK kërkon nga MASH të trajtojë me prioritet arsimin profesional

Aktuale

​OAK kërkon nga MASH të trajtojë me prioritet arsimin profesional

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 16:25
OAK

Rritja e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe bizneseve, sidomos sa i përket aftësimit profesional të studentëve dhe inkorporimit të pjesës teorike dhe asaj praktike, ishte tema kryesore e diskutimit në takimin e sotëm të Odës së Afarizmit të Kosovës dhe ministrit të Arsimit dhe Shkencës (MASH) Ramë Likaj.

Anëtari i bordit të OAK-ut Hamdi Malushaj theksoi që bashkëpunimi ndërmjet organizatave të bizneseve dhe MASH është i nevojshëm, pasi ekziston një hendek mospërputhjeje ndërmjet nevojave të tregut të punës dhe kuadrit.

Ai kërkoi që puna praktike të bëhet obligative për të gjitha shkollat profesionale, dhe për këtë nevojiten masa stimuluese për bizneset, ashtu që të konsiderojnë si prioritet marrjen e praktikantëve në vendin e punës.

Ndër të tjera, OAK kërkoi që komuniteti i biznesit të përfshihen në grupet punuese, ashtu që së bashku të kontribuohet në arritjen e rezultateve sa më të mira.

Koordinatorja e OAK-ut Qendresa Ibrahimi theksin kryesor i kushtoi rëndësisë së kombinimit të pjesës teorike dhe praktikës, pasi që kështu nxënësit dhe studentët do të jenë më të përgatitur për tregun e punës.

Ministri Likaj theksoi që prioritet i ministrisë që ai drejton është arsimi profesional, andaj është i hapur për çdo bashkëpunim që lehtëson shtyrjen para të kësaj çështjeje, duke shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar ngushtë me OAK-në.

Këshilltari i ministrit Enver Osdautaj tha se MASH është e fokusuar në integrim të kurrikulës bazuar në nevojat e tregut të punës, pasi që sa më shumë që përafrohen kërkesat e tregut të punës me kuadrot e nxjerra nga arsimi profesional, aq më të suksesshëm jemi.

Osdautaj shtoi që bashkëpunimi me odat është shumë i domosdoshëm pasi që kështu arrihet te hapja e dyerve të bashkëpunimit dhe pranimit më të lehtë të nxënësve/studentëve në ndërmarrje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat