​Bizneset në Skenderaj lirohen nga taksa për shfrytëzimin e hapësirës publike

Aktuale

​Bizneset në Skenderaj lirohen nga taksa për shfrytëzimin e hapësirës publike

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 18:53
Komuna e Skenderajt

Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari sot para anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa ka prezantuar propozim-vendimin e tij për miratimin e pakos ekonomike për t’iu dalë në ndihmë bizneseve, fermerëve dhe OJQ-ve duke ndihmuar në rimëkëmbjen e tyre pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Ai me këtë rast ka folur për lehtësirat që do të përfshihen në kuadër të kësaj pakoje, duke filluar nga lirimi nga pagesa e qirasë për periudhën e mbetur të vitit qiramarrësit e lokaleve afariste në pronësi të komunës.

Jashari tha se po ashtu të gjitha bizneset në Komunën e Skenderajt, të cilat paguajnë taksë për shfrytëzimin e hapësirës publike, lirohen nga pagesa për periudhën e mbetur të vitit 2020.

“Sipas mundësive dhe hapësirave që posedon Komuna e Skenderajt do t’i mbështesë OJQ-të lokale në sigurimin e hapësirave të punës në objektet publike, gjithashtu komuna të rrisë buxhetin për subvencione për bujqit dhe për subvencione në fushën e zhvillimit ekonomik, për vitin 2021”, ka shkruar Jashari në Facebook.

Në këtë mbledhje u përkrah po ashtu edhe Korniza afatmesme buxhetore (KAB), të cilën e prezantoi drejtori i Financave, Kastriot Gashi, ku bëri të ditur se nga dita e nesërme do të fillojnë takimet me qytetarët lidhur me këtë kornizë.

Gjatë kësaj mbledhje u përkrah edhe pika e fundit e rendit të ditës, për miratimin e granteve të Drejtorisë së Bujqësisë.

Ndryshe, të gjitha këto pika janë rekomanduar për Seancën e Kuvendit Komunal, e cila do të mbahet me datën 30 qershor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat