Pacolli e kishte parë zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi përmes opsioneve ekonomike, thotë këshilltari i tij

Aktuale

Pacolli e kishte parë zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi përmes opsioneve ekonomike, thotë këshilltari i tij

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 12:38
Behgjet Pacolli dhe Jetlir Zyberaj

Çështjet ekonomike mund të çojnë drejt rrugës së normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, ka vlerësuar Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i Behgjet Pacollit.

Sipas Zyerajt, edhe shefi i tij Pacolli ka parë këtë zgjidhje të problemit, i cili thekson se nuk qëndron në çështjet politike por ekonomike.

”Zoti Behgjet Pacolli në cilësinë e ministrit të jashtëm por edhe të liderit politik partiak e ka parë zgjidhjen me Serbinë krejtësisht në rrafshin ekonomik”.

”Ne politikisht nuk kemi çka t’i japim më Serbisë. Me dokumentin e Ahtisarit ne kemi bërë kompromise politikë. Serbia ka arritur maksimumin në Kosove dhe çdo gjë tutje do të shkonte në dëm të Kosovës. Një zonë e lirë ekonomike, e cila do të formohej mes Serbisë dhe Kosovës do të ishte zgjidhja”.

Ai shton se është në të mirën e vendit që edhe Emisari special për dialogun, Richard Grenell, beson që zgjidhja e problemit mes Prishtinës e Beogradit zyrtar janë opsionet ekonomike.

”Është mirë që i Dërguari Presidencial Amerikan Richard Grenell beson se opsionet ekonomike dhe një zonë ekonomike janë zgjidhjet për problemet me të cilat përballen Kosova dhe Serbia”.

”Normalizimi përmes ekonomisë është rruga jonë e vetme përpara, për të krijuar vende pune, mundësi biznesi dhe prosperitet. Infrastrukturë më e mirë, marrëdhënie më të mira ekonomike dhe tregtia më e lehtë, janë rruga jonë përpara”.

”Kjo është mënyra se si Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet dhe të arrijnë njohje reciproke”, shkruan Zyberaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat