​Mulhaxha-Kollçaku përplaset me Zemajn për masat kundër COVID-19

Aktuale

​Mulhaxha-Kollçaku përplaset me Zemajn për masat kundër COVID-19

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 22:55
​Mulhaxha-Kollçaku

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje, është përplasur me ministrin e Shëndetësisë, rreth masave të parandalimit për COVID-19.

Mulhaxha-Kollçaku, në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për dialogun me Serbinë, ka thënë se qeveria Hoti nuk po jep shembull të mirë për qytetarët kur është fjala te respektimi i masave kundër Covid-19

Ajo akuzoi kryeministrin Hoti dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn për relaksim teksa rastet me koronavirus janë në rritje.

Mulhaxha-Kollçaku: Kaq të relaksuar jeni këtu ndërsa numri i rasteve me COVID-19 ekstrem i lartë

“Kaq të relaksuar jeni këtu ndërsa numri i rasteve me COVID-19 ekstrem i lartë. Më vjen mirë që u kthye ministri i Shëndetësisë edhe shpresoj që më ka dëgjuar që një vërejtje këtij Kuvendi për mosmbajtje të maskave dhe mos mbajtje të distancës. Habitem se si qytetarët do të respektojnë masat e një qeverie ku kur shohin një kryeministër duke shkuar në Rugovë e duke prerë shirita në masë e duke hëngër e pirë në grumbull. Situata më nuk është e relaksuar, përkundrazi. Prandaj nisja në pozitë inferiore në këtë dialog nuk mund të presim asgjë më shumë sepse s’ka as platformë”, tha ajo.

Deputetes së VV-së iu përgjigj ministri Armend Zemaj, i cili tha se nga marrja e mandatit testimet janë rritur për 30 për qind.

Zemaj: I kemi rritur testimet për 30 për qind

“Pas hapjes më 18 maj dhe pas lirimit të masave të fazës së tretë. Trendi i rasteve me Covid-19 është rritur, por unë kam insistuar që të rriten edhe testimet. Prej 8 shkurtit kur kanë filluar testimet deri në ditën që unë e kam marrë mandatin i bien 140 ditë. Janë bërë 15 mijë 8833 teste, ndërsa për 15 ditë që unë jam ministër janë bërë 5933 teste. Që i bie përafërsisht 30 për qind në përqindje. Jo pse kemi dashur. (Ndërhyrja e deputetes Kollçaku). Ju lutem merrni fjalën nëse doni sepse ai pozicion është i papërshtatshëm. Kjo është puna e testimeve gjithmonë duke i respektuar këshillat dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat