Zemaj: Për 15 ditë janë realizuar gjashtë mijë analiza për COVID-19, po pretendojmë të kalojmë dhe në testime masive

Aktuale

Zemaj: Për 15 ditë janë realizuar gjashtë mijë analiza për COVID-19, po pretendojmë të kalojmë dhe në testime masive

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 10:03
Armend Zemaj

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur rreth situatës me pandeminë COVID-19, si dhe për lirimin e masave në Kosovë.

Zemaj ka thënë se nga fillimi i mandatit të tij si ministër, janë bërë rreth 6000 teste në IKSHPK, nën dyshimin e infektimit me COVID-19, për dallim nga qeverisja e kaluar që për 140 ditë, u bënë vetëm 15 mijë teste.

“Vetëm në këtë periudhë sa jam unë ministër janë bërë diku 6000 analiza, ndërsa për 140 ditë paraprake janë bërë 15 mijë testime. Po pretendojmë të kalojmë dhe në testime masive, që ta kemi nën kontroll të plotë pandeminë deri në eliminimin të tërësishëm të saj”, ka thënë ai.

Ministri Zemaj theksoi se është e vërtet që ka të infektuar me COVID-19, por siç shtoi ai ka dhe rritje të numrit të të shëruarave në vend.

“Është e vërtetë që kemi numër të rasteve të të infektuarve, por kemi edhe rritje të numrit të të shëruarave. Fatmirësisht po shkojmë drejt hapave të përmirësimit të gjendjes por edhe të kontrollit. Krejt çka duhet është menaxhimi i situatës dhe ta kemi në kontroll. Jemi vend me përkrahje, pasi klinika infektive është më e ngarkuara. Është bërë hapja dhe një reparti tjetër. Të gjithë këto kushte po mundohemi t’i realizojmë. Ajo çka është me rëndësi është rritja e kujdesit”, u shpreh ai.

Sipas ministrit Zemaj ka qytetarë që kanë krijuar konfuzione në lidhje me ekzistencën e virusit, por siç tha ai janë duke punuar në këtë aspekt që t’i mirë informojnë qytetarët përmes mediave.

“Është e vërtetë që është një përshtypje tek qytetarët që COVID-19 nuk ekziston, por do ta kemi një fushatë aktive edhe për media, që të kemi informata të sakta”, ka thënë ndër të tjera ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat