Konkursi për profesionistë shëndetësorë, përparësi kanë ata që punuan vullnetarë në kohë të pandemisë

Aktuale

Konkursi për profesionistë shëndetësorë, përparësi kanë ata që punuan vullnetarë në kohë të pandemisë

Më: 25 qershor 2020 Në ora: 08:39
Foto Ilustrim

Për shkak të pandemisë COVID-19, Ministria e Shëndetësisë para disa ditësh ka hapur një konkurs ku kërkohen profesionistë shëndetësorë.

Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar 100 mjekë specialist, 62 infermierë, 20 inspektor sanitar, 4 specialistë të mikrobiologjisë, 8 laborant dhe 6 pozita janë të hapura për staf teknik dhe mbështetës.

E për disa nga pozitat e lartpërmendura, kandidatë të cilët kanë punuar si vullnetar në kohën e pandemisë do të kenë përparësi.

Kjo vlen për pozitën e mjekëve specialistë, infermierëve dhe laborantëve.

“Të jetë i vetë-motivuar, i përshtatshëm në ekip, dhe i organizuar mirë; Aftësi për përkushtim ne detaje si dhe aftësi për të përmbushur afatet strikte; Aftësi për të përcaktuar përparësitë në detyra të shumta dhe ne projekte komplekse; Aftësi për të punuar në mënyrë të pavarur; Kandidatët me gradën më të lartë në shëndetësi, dhe përvojën më të gjatë nga koha e licencimit do të kenë përparësi; Në kushte të barabarta, kandidatët të cilët kanë punuar si vullnetar në kohën e pandemisë do të kenë përparësi”, thuhet në mesin e aftësive dhe atributeve që kërkohen nga Ministria e Shëndetësisë.

Konkursi për këto pozita ishte hapur me datën 16 qershor, ndërsa është mbyllur më 22 qershor.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se afati i kontratës është me kohë të caktuar, 3 muaj, me mundësi vazhdimi.

Ndryshe, deri tani në vendin tonë me coronavirus janë prekur 2 mijë e 268 persona, 1 mijë e 108 prej të infektuarve janë shëruar kurse janë regjistruar edhe 38 raste të vdekjes të cilët kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse pasi që virusi është ende aktiv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat