Sot Kosova me bilanc pozitiv, 1144 raste aktive me koronavirus – Klinika Infektive me probleme

Aktuale

Sot Kosova me bilanc pozitiv, 1144 raste aktive me koronavirus – Klinika Infektive me probleme

Më: 25 qershor 2020 Në ora: 23:45
Foto ilustrim

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 69 raste të reja me koronavirus, por janë shëruar edhe 75 pacientë.

Pas një periudhe relativisht të gjatë në Kosovë është kthyer bilanci pozitiv ndaj koronavirusit, ku numri i rasteve të reja është më i vogël sesa numri i të shëruarve.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 37 raste, komuna e Istogut 8 raste, komuna e Prizrenit 5 raste, komuna e Fushë Kosovës 5 raste, komuna e Mitrovicës 3 raste, komuna e Ferizajt 2 raste, dhe me nga 1 rast komunat: Drenas, Rahovec, Klinë, Lipjan, Obiliq, Pejë, Suharekë, Viti dhe Vushtrri.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka shkuar në 2432.

Por, nga numri i përgjithshëm i rasteve të infeksionit, aktualisht në Kosovë janë shëruar 1246 pacientë dhe 42 raste kanë përfunduar në vdekje.

Kështu, numri i përgjithshëm i rasteve aktive në Kosovë është 1144.

Sot, në Kosovë edhe një pacientë 52 vjeçar nga qyteti i Istogut ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive, derisa në këtë institucion shëndetësor janë të shtrirë rreth 100 pacientë, 13 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Rastet e vdekjeve në Kosovë që të gjitha deri më sot janë raportuar si pacientë të cilët kanë vuajtur edhe nga sëmundje të tjera përcjellëse.

Në anën tjetër, sot Ministria e Shëndetësisë ka pranuar edhe 6500 teste për koronavirusin nga Katari, derisa Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka futur në vendet me përhapje të shpejtë të koronavirusit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat