Pse u njoftua për aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit pa u konfirmuar nga Gjykata? – Deklarohen zyrtarët e Speciales

Aktuale

Pse u njoftua për aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit pa u konfirmuar nga Gjykata? – Deklarohen zyrtarët e Speciales

Më: 27 qershor 2020 Në ora: 14:55
Thaçi dhe Veseli

Dhoma e Specializuar në Hagë, ka sqaruar në një mënyrë më të detajuar, procedurën e cila është paraparë për të trajtuar çështjen e aktakzuës së fundit të dorëzuar në Gjykatën Speciale, ku përmenden emrat e dy ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zyrtari për informim i këtij dikasteri, Michael Doyle, ka folur lidhur me njoftimin e publikuar pa u konfirmuar fillimisht nga Gjykata Speciale.

”Kjo deklaratë është e ndarë nga vetë aktakuza”.

”Aktakuza, së bashku me të gjithë materialin plotësues të paraqitur nga Prokurori në prill, mbetet rreptësisht konfidenciale, pasi rregullat diktojnë”.

Megjithatë përmbajtja e njoftimit jep pretendime të shumta, ndonëse nga Dhoma e Specializuar thuhet se aktakuza mbetet konfidenciale.

E kjo rezultoi që shefi i shtetit të Kosovës të bëhet pjesë e lajmeve ndërkombëtare duke e cilësuar si të ‘akuzuar për krime lufte’.

Por nga Dhoma e Specializuar insistojnë se publikimi i këtij njoftimi për aktakuzën, është bërë në përputhje me rregullat ligjore.

”Deklarata u lëshua me konsideratë të plotë për masat mbrojtëse dhe të drejtat e parashikuara në kornizën ligjore që rregullon Dhoma e Specializuar dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”.

Nga Dhoma e Specializuar po ashtu konfirmojnë që nëse një aktakuzë e tillë aprovohet nga Gjykata Speciale, mund të ketë edhe arrestime për të dyshuarit.

“Në nenin 41 (6) parashikohet mundësia e arrestimit kur ekziston dyshimi i bazuar se dikush ka kryer një krim nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara dhe ekziston rreziku i arratisjes, një krim tjetër i kryer ose i provave të komprometuara, ndikim i dëshmitarëve, etj”.

Amerikani Michael Doyle, nuk ka pranuar të flas se: pse u publikuan emrat e Presidentit Hashim Thaçi e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli? – por jo të të tjerëve duke lë të kuptohet se vet Prokurori i çështjes ka vendosur diçka të tillë.

”Unë nuk mund të komentoj ndonjë detaj tjetër përveç asaj që jepet në deklaratën e prokurorit”, thekson ai.

Doyle thekson që kjo përmbajtje e njoftimit pati informacion të kufizuar, ndërsa qëndrojnë prapa arsyes së publikimit të cilën edhe e kishin përmendur në deklaratën e 24 qershorit.

”Deklarata e lëshuar të mërkurën përmbante informacion të kufizuar – emrat e 2 personave dhe një përmbledhje të akuzave së bashku me një shpjegim se pse u njoftua”.

Kur pritet përfundimi i procesit me konfirmimin apo hedhjen poshtë të kësaj aktakuze të dorëzuar në Gjykatën Speciale?

“Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i nënshtrohet specifikave të çështjes, gjashtë muaj, për të vendosur nëse do ta konfirmojë ose pushojë një aktakuzë”, shprehet Doyle.

Publikimi i njoftimit se Prokuroria Speciale ka dorëzuar aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli për shqyrtim në Gjykatën Speciale, ndryshoi rrjedhën e zhvillimeve politike në Kosovë.

Takimi i paraparë për sot me ftesë të Emisarit Special Richard Grenell për një diskutim në Shtëpinë e Bardhë të palës kosovare dhe asasj serbe nuk ndodhi.

Kjo pasi me tu ndarë njoftimi, Presidenti Hashim Thaçi anuloi pjesëmarrjen e tij në Washington, ku pritej të përballej me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq – dhe pritej një dinamikë e re e dialogut.

Për shkak të zhvillimeve, ngjashëm veproi edhe Kryeministri i vendit Avdullah Hoti i cili anuloi pjesëmarrjen e tij në takimin në Shtëpinë e Bardhë duke thënë që padrejtësisht delegacioni i Kosovës u përgjysmua.

Emisari Special Richard Grenell u shpreh se respekton vendimet e krerëve shtetërorë të Kosovës dhe do të planifikojnë një takim tjetër të tillë për të cilën datë palët do të mbeten të informuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat