Kuvendi i kërkon IKSHPK-së testimin e stafit për COVID-19

Aktuale

Kuvendi i kërkon IKSHPK-së testimin e stafit për COVID-19

Më: 29 qershor 2020 Në ora: 14:22
Foto Ilustrim

Kuvendi i Kosovës i bëri kërkesë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) që të shohë mundësinë e testimit për Covid-19 të zyrtarëve dhe deputetëve të këtij institucioni, tha për Radion Evropa e Lirë sekretari i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, Ismet Krasniqi.

Vetë Krasniqi ka rezultuar pozitiv me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

“Me pranimin e rezultatit të testit, e kam njoftuar stafin dhe jam izoluar”, tha ai.

Krasniqi tha se IKPSHK-ja nuk ka kthyer ende përgjigje sa i përket testimit të stafit të Kuvendit.

Edhe shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka njoftuar të dielën se ka rezultuar pozitiv me Covid-19, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes.

Përndryshe, Kryesia e Kuvendit të Kosovës shtyu mbledhjen e paralajmëruar për të hënën, për një ditë tjetër.

Në njoftimin e Kuvendit nuk përmendet arsyeja e shtyrjes.

Kosova ka konfirmuar gjithsej 2,677 raste me coronavirus.

Prej tyre, 1,203 janë aktive, ndërsa 49 pacientë kanë vdekur.

Numri i të shtrirëve në Kliniken Infektive në Prishtinë ka filluar të rritet që nga fillimi i muajit qershor, kur ka nisur faza e tretë e lehtësimit të masave kundër coronavirusit.

Në 10 ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 844 raste të reja me coronavirus. Ditëve të fundit ka ndodhur që deri në 46% e të testuarve në 24 orë të dilnin pozitivë me COVID-19. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat