Lutet Shpend Ahmeti: Aman kujdes, nuk do të keni as shtretër ku të shtriheni

Aktuale

Lutet Shpend Ahmeti: Aman kujdes, nuk do të keni as shtretër ku të shtriheni

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 08:34
Shpend Ahmeti

Pas 41 rasteve të reja me koronavirus në Prishtinë, kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, u ka kërkuar qytetarëve t’i përdorin maskat, të respektojnë distancën dhe t’i pastrojnë dhe dezinfektojnë duart.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti tha se gjasat për t’u infektuar me koronavirus kanë qenë të larta, pasi ka vizituar shumë njerëz, ka qenë në kontakt me mjekë dhe ka vizituar lagjet ku është përhapur koronavirusi.

Por, nuk është infektuar dhe sipas tij, kjo pasi ka respektuar rekomandimet e IKSHPK-së.

“Gjatë këtyre muajve të pandemisë kam takuar qindra njerëz, kam qenë në kontakt me mjekë, e në lagjet me infeksion. Gjasat për ta marr virusin kanë qenë të larta. Por, kam përcjellur rekomandimet e mjekëve në maksimum. Masken, jo kontakte fizike dhe larje e dezinfektim të rregullt të duarve. Fatmirësisht, deri më tani nuk e kam virusin. Por meqë numri i njerëzve që njoh me virus është shtuar gjasat janë që të infektohem”, ka shkruar Ahmeti.

Ai shtoi se do të vazhdojë ta luftojë virusin me gjëra të thjeshta, me maskë, distancë, larje e dezinfektim, pasi nuk dëshiron që ta rrezikojë nënë e tij 72-vjeçare.

“Nanën e kam 72 vjeçare dhe nuk dua ta rrezikoj. Kam parë shumë raste të rënda për ta kaluar si hajgare. Prandaj sonte nuk po ju flas si kryetar komune por si qytetar e familjar. Këto rekomandime të thjeshta nuk janë të vështira. Përndryshe ska shtet në botë që do ta ndalte përhapjen! Kujdes! Mund të vërshohemi nga rastet. Pastaj komplikimet e thjeshta mund të bëhen fatale. Thjeshtë, nuk do të krevate për tu shtrirë e mjekë për të ju mjekuar”, ka shkruar Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat