A do të hapet sot Pishina e Gërmisë?

Aktuale

A do të hapet sot Pishina e Gërmisë?

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 08:50
Pishina e Germisë

Në pritje të një vendimi definitiv nga institucionet e shtetit, Ndërmarrja Publike “Sport Marketing”, e cila e menaxhon Pishinën e Gërmisë pohon se janë bërë gati dhe nëse marrin leje prej nesër mund të hapin pishinën për qytetarë.

Prej disa ditësh temperatura të larta po mbretërojnë në Kosovë dhe kështu është rritur edhe interesimi i qytetarëve për të frekuentuar pishinat, si një mënyrë e mirë për t’u freskuar.

E deri sot një mundësi të tillë nuk kanë pasur qytetarët, pasi ende nuk është marrë një vendim nga Qeveria e Kosovës, me të cilin lejohet hapja e pishinave.

Por edhe pse nuk ka një vendim definitiv dhe në pritje të lejes për nisjen e punës, Pishina e Gërmisë, e cila është një nga pishinat më të mëdha në Kosovë, tashmë është bërë gati të fillojë punën.

Këtë e pohon kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Sport Marketing” që menaxhon me Gërminë, Liridon Llapashtica.

Ai tha se prej ditësh janë bërë gati që të presin jo vetëm banorët e kryeqytetit, por edhe qytetarë të tjerë që janë të interesuar të kalojnë kohën në pishinë gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës.

Sa litra ujë i zë pishina dhe për sa javë mbushet 

Në këtë rast Llapashtica ka treguar edhe një detaj për pishinën e vetme në kryeqytet.  Ai bëri të ditur sa litra ujë i zë pishina dhe sa ditë kalojnë deri sa ajo të mbushet e të jetë e gatshme për të pritur vizitorë të shumtë.

“Pishina e Gërmisë mbushet në mënyrë natyrale dhe duhen apo nevojiten 5 deri 6 deri të mbushet plotësisht. Kjo mbushje bëhet nga rrjedha e ujit që vjen nga lart. Mbushja natyrale është praktikuar tash e shumë kohë. Gërmia ka edhe sistem të mbushjes me pompa, por ajo nuk praktikohet për shkak të kostos së lartë. Pishina e Gërmisë i zë 25 mijë litra ujë”, ka thënë për FaktePlus, Llapashtica.

Se a do të hapet Pishina e Gërmisë ende nuk dihet saktësisht pasi Qeveria e Kosovës deri tani nuk ka dalë me një vendim për këtë veprimtari.

Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë i këshillon shfrytëzuesit e pishinave që t’iu shmangen turmave, përfshirë këtu edhe atyre në pishina, dhe të respektojnë distancën fizike.

Problematike në përpjekjet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit mbeten hapësirat e përbashkëta përreth pishinës, siç janë zhveshtoret, toaletet publike dhe restorantet.

Llapashtica tha se në Pishinën e Gërmisë do të lejohet numër i kufizuar i vizitorëve, bazuar në respektimin e distancës fizike dhe rekomandimet që dalin nga IKSHPK dhe institucionet tjera të shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat