​Qeveria do të procedojë Ligjin e pagave në Kuvend

Aktuale

​Qeveria do të procedojë Ligjin e pagave në Kuvend

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 16:25
Avdullah Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit me kryetarët e sindikatave të sektorit publik, me të cilët ka biseduar rreth ligjit të pagave, ka deklaruar se në koordinim me këta të fundit, do të bëjnë një ligj për ta adresuar më pastaj për procedim në Kuvend.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se gjatë kësaj periudhe do të angazhohen që të adresojnë disa prej nevojave më urgjente, të disa prej sektorëve publik.

Hoti: Qeveria me grup punues për procedimin e ligjit të pagave në Kuvend

“Sot bashkë me zëvendës kryeministrin Selmanaj, kishim takim me kryetarët e sindikatave, të SBASHK-ut, të Shëndetësisë, Policisë, Administratës Publike, që përfaqësojnë rreth 70 mijë të punësuar në sektorin publik. Shqetësimin që ata e kanë lidhur me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, sa i përket ligjit të pagave e ndajmë edhe ne por më lejoni të them nga pozicioni që kam, vendimet e gjykatave nuk diskutohen fare, por pranohen ashtu si janë. Ne u dakorduam në takimin që patëm, që Qeveria të formojë grupin punues për të proceduar në Kuvend ligjin e pagave, duke marrë parasysh argumentet që i ka shfrytëzuar Gjykata Kushtetuese kur ka vendosur për këtë ligj, në këtë formë”, tha Hoti.

Kryeministri Hoti ka shtuar, se në grupin punues do të jenë të përfshirë të gjitha sindikatat.

Hoti: Do të adresojmë disa prej nevojave urgjente në sektorët publikë

“Në grupin punues do të jenë të përfshirë, të gjitha këto sindikata, sepse ky ligj është për këta të punësuar që përfaqësohen nga kryetarët e sindikatave që janë këtu.. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe, do të angazhohemi si Qeveri, brenda mundësive buxhetore, të adresojmë disa prej nevojave më urgjente, nëpër disa prej sektorëve publik në përgjithësi”, ka thënë Hoti.

Këto komente, Hoti i bëri një ditë pasi Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë Ligjin për Paga të ish-Qeverisë Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat