​Presidenca Gjermane, mundësi e artë për liberalizimin e vizave

Aktuale

​Presidenca Gjermane, mundësi e artë për liberalizimin e vizave

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 17:09
Foto ilustrim

Gjashtë muajt e ardhshëm pritet të jenë mundësi e artë që të liberalizohen vizat për Kosovën. Kryesimi i Këshillit të Evropës nga Gjermania po shihet si sinjal pozitiv që qytetarët e Kosovës që në fillim të vitit 2021 të lëvizin lirshëm në BE.

Ndonëse në publikimin e programit zyrtar të presidencës gjermane nuk përmenden konkretisht Kosova, hyrja e agjendës për liberalizim të vizave konsiderohet si fare lehtë e mundshme nëse ka vullnet nga vet shtetet anëtare të BE-së.

Marrjen e kryesimit të BE-së nga Gjermania e komentoi sot edhe kryeministri, Avdullah Hoti, i cili tha se Kosova mbetet e përkushtuar për të mirëmbajtur kriteret e liberalizimit të vizave.

Hoti: Mbesim të përkushtuar që të mirëmbajmë kushtet që i kemi plotësuar

“Nevoja që të kemi sa më parë liberalizim të vizave. Ne mbesim të përkushtuar që të mirëmbajmë kushtet që i kemi plotësuar deri më tash sa i përket liberalizimin e vizave”, u shpreh ai.

Mundësi të mirë për liberalizim të vizave në këto 6 muajt e ardhshëm e sheh edhe njohësi i integrimeve evropiane, Besnik Vasolli.

Vasolli: Gjermania është mundësia më e artë e Kosovës

“Në parim Gjermania është mundësia më e artë e Kosovës, por nuk varet krejt nga ajo. Këtu edhe ne duhet t’i ndihmojnë, por edhe ata të lobojnë dhe të shohin si mund të shohin nga ky aspekt”, thotë ai.

Ndërkaq, drejtori i institutit “EPIK”, Demush Shasha thotë se Kosova nuk ka pasur mundësi më të mirë për liberalizim të vizave qysh nga vitit 2016.

Shasha: Gjashtë muajt e ardhshëm janë mundësi e mirë për liberalizim të vizave

“Këto gjashtë muajt e ardhshëm janë mundësia jonë më e mirë për liberalizim të vizave qysh nga viti 2016”, thotë ai.

Por, sipas tij duhet të vazhdohet të tregohet vullneti i mirë për dialogim me Serbinë, si dhe bashkëpunimin me Gjykatën Speciale dhe Eulex.

Shasha: Të vazhdohet bashkëpunimi i plotë me Gjykatën Speciale dhe Eulex-in

“Të vazhdojë të tregojë vullnetin e mirë në dialogun me Serbinë, veçanti pas zhvillimeve të fundit do të pritet nga Kosova që këto gjashtë muajt e ardhshëm, por edhe në vazhdimësi të ofrojë bashkëpunim të plotë Gjykatës Speciale dhe Eulex-it. Këto janë le të themi një kërkesë e drejtpërdrejt lidhur me liberalizim të vizave”, thotë ai.

Edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj shpreson se nën kryesimin e Gjermanisë, Kosova do të fitojë liberalizimin e vizave.

“Nuk kam dyshim që përgjatë mandatit gjashtëmujor të Gjermanisë në krye të BE-së, një energji e re do ta përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe do t'i çojë përpara proceset integruese të Kosovës në organizatat dhe institucionet e Bashkimit Evropian’, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Javë më parë edhe një grup deputetësh të Parlamentit Evropian i dërguan letër kancelares Angela Merkel, ku i kërkuan që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të vihet në agjendë gjatë Presidencës së BE-së nga Gjermania.

Ndryshe, Këshilli është organi kryesor vendimmarrës i BE-së. Së bashku me Parlamentin Evropian bartë përgjegjësinë për miratimin e ligjeve të BE-së. Këshilli i BE-së përbëhet nga ministrat e qeverive nacionale të të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Në takime marrin pjesë ministrat përgjegjës për temën që diskutohet.

Çdo gjashtë muaj, një shtet anëtar i ndryshëm merr përsipër presidencën e BE-së, që nënkupton kryesimin e këtyre takimeve dhe përpilimin e agjendës së përgjithshme politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat