Lushtaku reagon ashpër ndaj Speciales, e përmend edhe kriminelin Millosheviq

Aktuale

Lushtaku reagon ashpër ndaj Speciales, e përmend edhe kriminelin Millosheviq

Nga: H.O. Më: 1 korrik 2020 Në ora: 20:33
Gjykata Speciale

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mergim Lushtaku në një postim të tij në Facebook, ka reaguar pas aktakuzës së fundit të përmendur kundër Presidentit Hashim Thaҫi e kreut të partisë së tij, Kadri Veselit.

Lushtaku thotë se ‘njohës të ndryshëm ndërkombëtarë të fushës juridike e vëjnë në pikëpyetje seriozitetin dhe reputacionin jo vetëm të prokurorisë së kësaj Gjykate po edhe vetë Gjykatën se a ka të drejtë të ekzistojë’.

Lushtaku thotë se edhe vetë krimineli Sllobodan Milloshevuq po të kishte dëshmi ndaj UÇK-së do t’i përdorte.

Postimi i plotë:

Tentativa për të kriminalizuar gjeneratën e UÇK-së e cila e gjunjëzoi Serbinë po vazhdon edhe në vitin 2020.

Precedenti i tillë i publikimit të aktakuzës pa u konfirmuar nga ana e gjykatësit nuk ka ndodhur ndonjëherë në drejtësinë ndërkombëtare.

Madje njohës të ndryshëm ndërkombëtarë të fushës juridike e vëjnë në pikëpyetje seriozitetin dhe reputacionin jo vetëm të prokurorisë së kësaj Gjykate po edhe vetë Gjykatën se a ka të drejtë të ekzistojë.

Po ashtu, edhe vet kasapi i Ballkanit, armiku më i madh i shqiptarëve, Sllobodan Millosheviq në gjykimin e tij, po të kishte pasur ndonjë “dëshmi” ndaj UÇK-së, për të cilat pretendon prokuroria, do t’i përdorte, mirëpo nuk ka pasur as edhe një të vetme që e njollos luftën e shenjtë të çlirimtarëve tonë.

Pas këtij skandali të prokurorisë, mund të themi se ka shumë prapaskena dhe mjegullim që si rrjedhojë e bën edhe më të pabesueshme punën e kësaj gjykate.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë e drejtë dhe asnjë lloj gjykate politike nuk mund ta shtrembërojë atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat