Tahiri: Ja kush do t’i arrestojë personat me aktakuzë nga Gjykata Speciale

Aktuale

Tahiri: Ja kush do t’i arrestojë personat me aktakuzë nga Gjykata Speciale

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 17:07
Ramush Tahiri

Edhe përkundër se u ka kaluar mandati me 14 qershor  të këtij viti EULEX-it, bazuar në vendimin e Këshillit Evropian të vitit 2018, mandati aktual i Misionit është filluar për ta mbuluar periudhën deri më 14 qershor 2021 duke u bazuar në vendimin e Këshillit CFSP 2020/792. EULEX-i funksionon brenda kornizës së Rezolutës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244.

Derisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk dihet se a ka dorëzuar tek autoritetet e Bashkimit Evropian letërkëmbimin apo tek shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Jozef Borrell.

Vazhdimi i mandatit të EULEX-it është i mundur vetëm përmes një letërkëmbimi në mes BE-së dhe presidentit të Kosovës, pa pasur nevojë për një vendim të ri nga Kuvendi i Kosovës.

Në mes të majti presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, por nuk janë dhënë detaje rreth bisedimeve edhe për mandatin e këtij misioni evropian në Kosovë.

Por nga zyra e Presidentit nuk janë përgjigjur për "Syri.net" rreth  procedurave të vazhdimit të mandatit të misionit të EULEX-it. 

Zyra për media e EULEX-it  janë përgjigjur: Lidhur me mandatit e misionit tonë, ju lutem keni parasysh se prania dhe operacionet e EULEX-it vazhdojnë të jenë të garantuara me ligjet e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare. Ne duam të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e Kosovës për të çuar bashkërisht përpara agjendën tonë të përbashkët për fuqizimin e institucioneve të Kosovës për sundim të ligjit. Kosova ka marrë përsipër një zotim në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim për të punuar bashkërisht me Bashkimin Evropian, përfshirë EULEX-in, për fuqizimin e institucioneve të saj të sundimit të ligjit. Ne kemi pasur partneritet të fuqishëm që nga viti 2008 dhe mbështetja dhe asistenca jonë për institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit vazhdojnë.

E analisti Ramush Tahiri, tha, se Policia e Eulexit pikërisht në këtë periudhë kohore e ka për detyrë të jetë në shërbim të Prokurorisë dhe të Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë. 

"Pra ti sigurojë të gjitha kushtet për punë të rregullt e normale, duke siguruar e mbrojtje për dëshmitarët, provat e dëshmitë dhe duke arrestuar dhe mbajtur e duke dërguar në Hagë, ku është selia e gjykatës. 

Po ashtu personat që kërkohen nga kjo gjykate e që nuk shkojnë vullnetarisht si dhe të arrestojë personat ndaj të cilëve ngritet aktakuza për të cilët gjykata vlerëson se duhet të jenë të ndaluar edhe për hetime të mëtejme edhe në burgë paraburgim gjatë gjithë kohës së mbajtjes së gjykimit", tha ai.

Sipas tij EULEX-i misioni në polici dhe drejtësi i Evropës në Kosovë kishte zëvendësuar policinë e UNMIK-ut në periudhën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

"Mandati vazhdohej me letrën apo kërkesën nga Presidenti i Republikës së Kosovës, drejtuar institucioneve të Bashkimit Evropian, fillimisht baroneshes Eshton e me vone të gjitha personaliteteve që ishin në këtë funksion", tha Ramush Tahiri.

Analisti shtoi se këtë vit presidenti Thaçi me të drejtë nuk ia vazhdoi mandatin, duke konsideruar se ky mision është përmbyllur dhe se Kosova nuk ka më nevojë për EULEX-in.

"Vetë vazhdimi i mandatit është i paprecedent, por është efektiv edhe pse nuk bëhet duke u thirr në Rezolutën 1244 të KS-ës të OKB-së  se nuk është mision i vendosur nga OKB-ja, por nga BE-ja", tha Tahiri.

Të rikujtojmë se EULEX-i ka filluar misionin në Kosovë në vitin 2008, pasi që Kosova shpalli pavarësinë e saj. Ai përbën misionin më të madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.

Në fazën e hershme të pavarësisë, EULEX-i ishte vendosur në Kosovë që t’iu asistonte autoriteteve vendore në ngritjen e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit, duke zëvendësuar fillimisht dhe marrë përsipër shumë kompetenca nga sistemi i drejtësisë që i kishte administrata e Kombeve të Bashkuara – UNMIK.

Ngjashëm me UNMIK-un, edhe EULEX-i funksionon brenda kornizës së Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në fillim të misionit, gjatë 4-6 vjetëve të parë, EULEX-i merrej kryesisht me rastet e cilësuara të ndjeshme, me të cilat, siç thuhej atëherë nga shoqëria civile, institucionet vendore të sundimit të ligjit dhe drejtësisë nuk ishin ende të “pjekura” që t’i trajtonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat