Kryetari i Odës së Tregtisë së Serbisë bën thirrje për fillim të ri në raportet me Kosovën - Bota Sot
Kryetari i Odës së Tregtisë së Serbisë bën thirrje për fillim të ri në raportet me Kosovën

Aktuale

Kryetari i Odës së Tregtisë së Serbisë bën thirrje për fillim të ri në raportet me Kosovën

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 18:46
Foto ilustrim

Mesazhi i afaristëve serbë dhe kosovarë është i qartë: kemi nevojë për një “fillim të ri” në raporte, bazuar në besimin, qasjen pragmatike ndaj realitetit dhe në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kështu ka thënë kryetari i Odës së Tregtisë së Serbisë, Marko Çadezh në një bisedë për Frankfurter Allgemeine Zeitung, raporton “danas.rs”.

Ai është i bindur se kjo porosi ka arritur te qeveritë në Beograd, Prishtinë, Uashington dhe Bruksel.

FAZ ka konstatuar se Kosova e Serbia nuk pajtohen politikisht, por që odat e ekonomisë bashkëpunojnë ngushtë.

“Kjo në raportet serbo-kosovare paraqet një fije shprese”, thuhet në analizën e gazetës gjermane. Është shkruar se Oda e Kosovës në vitin 2015 është bërë anëtare e Eurochambers, organizatës ombrellë të odave evropiane, me miratimin e theksuar serb.

Kjo është e pamenduar në nivelet tjera, marrë për bazë që Serbia mundohet të pengojë çdo pranim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, shkruan gazeta.

Gazeta gjermane ka kujtuar që Richard Grenell, përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për bisedat në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka sjellë qasje të re – duke i dhënë prioritet ekonomisë para politikës.

Kjo në fillim të vitit ka rezultuar me nënshkrimin e disa letrave që për qëllim kanë vendosjen e trafikut të drejtpërdrejtë hekurudhor dhe ajror midis Beogradit dhe Prishtinës si dhe përfundimin e autostradës nga kryeqendra e Serbisë deri në kryeqendrën e Kosovës.

Çadezh ka vlerësuar se në këtë moment qasja e Grenellit është efikase dhe se është konstruktive që në Beograd dhe Prishtinë ka kërkuar së pari të bisedojë me investitorë dhe njerëz të biznesit.

Sipas FAZ, një qasje të tillë e përkrah edhe Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, që ka paraqitur barrierat me të cilat përballen afaristët kosovarë, të shkaktuara nga shteti serb.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat