19 kandidatë në garë për pozitën e Avokatit të Popullit në Kosovë

Aktuale

19 kandidatë në garë për pozitën e Avokatit të Popullit në Kosovë

Më: 5 korrik 2020 Në ora: 09:21
Ilustrim

Avokatit të Popullit më 2 korrik i ka kaluar mandati. Mirëpo, ende nuk është gjetur zëvendësimi i Hilmi Jasharit.

E zgjedhjen e avokatit të ri, e ka shtyrë  situata pandemike. Për pozitën e Avokatit të popullit janë të interesuar 19 persona.

Intervistimi i tyre ishte planifikuar të hënën e ardhshme, por e njejta është shtyer deri në një afat të caktuar.

Deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit pozitën e mban ai aktual, Hilmi Jashari.

Sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, në këtë zyrë që nga 2 korriku do të duhej të vendosej pasardhësi i Hilmi Jasharit.

Jashari i cili është aktualisht në krye të këtij institucioni ka përfunduar tashmë mandatin e rregullt 5 vjeçar.

Por, avokati i popullit po vazhdon punën e tij.

Kjo për shkak se kështu i është kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, institucion ky që zgjedh avokatin e ri.

Në një përgjigje për Televizionin, zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës ka njoftuar se kërkesën për vazhdim të qëndrimit në këtë pozitë të Hilmi Jasharit, e kanë mbështetur në Ligjin për Avokatin e Popullit.

Ombudsmani i Kosovës, thotë se nga përvoja e tij 5 vjeçare është i kënaqur me ndikimin që ka pasur veprimtaria e tij.

Gjatë udhëheqjes së institucionit nga ana e Hilmi Jasharit, janë realizuar 300 raste Ex Officio dhe mbi 1000 rekomandime.

Në ulësen e Avokatit të Popullit mund të ulet njëri nga 19 kandidatët për këtë pozitë.

Aktualisht është i hapur konkursi për zgjedhjen e Avokatit të ri në të cilin kanë aplikuar Basri Kastrati, Valdete Hyseni, Sadik Kryeziu, Shqipe Ibraj-Mala, Edona Hajrullahu, Valon Leci, Alban Idrizi, Naim Qelaj, Vebi Mujku, Xhavit Shala, Ekrem Jakupi, Gëzim Latifi, Naile Alaj, Musa Dragusha, Enver Hasani, Besim Murtezani, Arben Muhameti, Rozafa Ukimeraj-Çuni dhe Ibrahim Arslan.

Në një bisedë me televizionin kandidatja Shqipe Ibraj-Mala, e cila për vite ka punuar në insitutcionin e Avokatit të Popullit, konsideron se është e nevojshme që në krye të këtij institucioni të zgjedhet një grua.

Kandidati tjetër, Valon Leci i cili ka qenë në krye të Inspektoratit të Punës, thotë se përvoja e tij në fushën e të drejtave të Njeriut e ka shtyrë të aplikojë për këtë pozitë.

Ish kreu i Kushtetueses, profesori universitar Enver Hasani po ashtu është interesuar të drejtojë këtë institucion.

T7 mëson se intervistimi i kandidatëve ishte planifikuar të ndodhë të hënën e ardhshme.

Por pastaj është shtyrë për një periudhë të pacaktuar, për shkak të situatës me Covid 19.

Pas intervistimit nga ana e Komisionit Paralmentar për të drejtat e njeriut, 3 emrat e përzgjedhur në listën e ngushtë i dërgohen Kuvendit për votim.

Me 61 vota për të deputetëve, zgjidhet Avokati i ri i Popullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat