“Vendimi i qeverisë antikushtetues, urgjentisht të miratohet ligji për pandeminë”

Aktuale

“Vendimi i qeverisë antikushtetues, urgjentisht të miratohet ligji për pandeminë”

Më: 6 korrik 2020 Në ora: 23:58
Qeveria e Kosovës

Arrita Rezniqi, nga IKD, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se vendimi i qeverisë për kufizimin e lëvizjes është antikushtetues, derisa ka bërë thirrje që të miratohet urgjentisht ligji për pandeminë.

“IKD-ja në mënyrë të vazhdueshme avokon për respektim të lirive dhe të drejtave të qytetarëve të vendit. Për këto masa kemi dalë me një reagim ku kemi shpreh zhgënjimin lidhje me qasjen e institucioneve për parandalimin e pandemisë. Vazhdimisht kemi bërë thirrje që të krijohet infrastruktura e nevojshme ligjore me qëllim të sigurimit të sigurisë juridike për qytetarët dhe të ofrimit të mundësisë të institucioneve ligjzbatuese të ushtrojnë mandatin e tyre të bazuara në ligj”, ka thënë Rezniqi.

Ajo ka shtuar se masat e ndërmarra, si në fillim të pandemisë nga Qeveria e kaluar, e si nga qeveria aktuale ne në asnjë moment nuk i kanë kontestuar në aspekt të nevojës, “sepse të gjithë e dimë se situata është e tillë prandaj në mënyrë të vazhdueshme u kemi bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rekomandimet e ekspertëve pasi në këtë formë kujdesemi për veten, familjarët, kolegët e stafin mjekësor etj”.

Sipas saj në aspektin ligjor është një vendim që nuk përkon me vlerën e sundimit të ligjit dhe me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Është një vendim arbitrar duke shkelur të drejtat kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve të vendit. Kjo mënyrë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me të drejtat themelore të njeriut, prandaj vazhdimisht kemi avokuar në krijimin e një ligji për këtë pandemi. Në këtë formë do të zbatoheshin edhe në praktikë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Rezniqi. “Përmes reagimeve të caktuara kemi kërkuar të bëhet një ligj i tillë. Në mënyrë që të mbahet një balanc për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe domosdoshmërinë për të ndërhyrë”.

Rezniqi shtoi se kjo situatë po krijon vetëm vështirësi.

“Vlerësojmë se me një qasje të tillë kemi, përveç cenim të të drejtave të njeriut, kemi edhe moszbatim të detyrimeve pozitive të institucioneve. E gjithë kjo situatë po krijon vështirësi në menaxhimin e pandemisë pasi ne i kemi institucionet për zbatimin e ligjit, por ne duhet ta kemi ligjin. Qeveria e Kuvendi duhet të ushtrojnë përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore. Urgjentisht kemi kërkuar të procedohet në miratimin e ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19”, thotë ajo.

Ajo ka shtuar se s’mund të vazhdohet me masa antikushtetuese.

“Është fatkeqësi sepse vazhdimisht po diskutohet për inatet politike, do të duhej të kishte unifikim politik por një iniciativë e tillë është domosdoshmëri dhe të bëhet në mënyrë urgjente. Nuk mund të lejohet të vazhdohet me masa kundër kushtetuese. Shpresojmë që të enjten të miratohet ligji, ashtu siç po diskutohet. Në këtë rast kemi të bëjmë me një praktikë të ndërtuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe ky vendim është në kundërshtim me atë praktikë. E kemi të qartë se vendimi i Kushtetueses në raport me kufizimet e tilla është në kundërshtim me Kushtetuesen pasi nuk janë të përcaktuara me ligj”, thotë Rezniqi. “Në gjendjen në të cilën jemi në kohë sa më urgjente duhet të realizohet dhe të miratohet ky ligj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat