Ministria e Shëndetësisë jep sqarim rreth konkursit për profesionistët shëndetësor pas ankesave të vullnetarëve

Aktuale

Ministria e Shëndetësisë jep sqarim rreth konkursit për profesionistët shëndetësor pas ankesave të vullnetarëve

Më: 8 korrik 2020 Në ora: 11:44
Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë ka bërë një sqarim lidhur me konkursin për rekrutimin e profesionistëve shëndetësor, pas ankesës së doktoreshës Jehona Krasniqi, e cila ka thënë se pavarësisht që kanë punuar si vullnetarë në kohë të pandemisë, vetëm një vullnetar është pranuar.

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikatë për media ka thënë se përzgjedhja e kandidatëve është bërë në atë mënyrë që së pari janë përfshirë specialistët e fushave të mjekësisë dhe mandej, sipas radhës, duke u renditur sipas kohës më të gjatë nga data e licencimit.

Në sqarimin e bërë nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se doktoresha Krasniqi, bazuar në dosjen e saj të aplikimit, është licencuar me datë 25.09.2019.

Më tej, Ministria e Shëndetësisë thekson se do t’i trajtoj me seriozitetin më të madh të gjitha ankesat që do të paraqiten nga cilido pjesëmarrës në konkurs, në Komisionin e ankesave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sqarimi i plotë:

“Ndërlidhur me ankesën e dr. Jehona Krasniqi, për mos pranimin e saj në punë në konkursin e shpallur nga Ministria e Shëndetësisë me nr. reference MSh-12/06/2020 ku kanë qenë të parapara 100 pozita për mjekë, Komisioni për rekrutimin e kandidatëve sqaron si në vijim:

Me konkursin e datës 12 qershor 2020 të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, në mesin e 200 pozitave për profesionistëve të shëndetësor në funksion të monitorimit të situatës rreth Covid-19 janë paraparë edhe 100 pozita për mjekë.

Sipas kritereve të konkursit, përveç shkollimit të përfunduar në mjekësi dhe licencës së punës, përparësi për kandidatët pjesëmarrës ka qenë grada me e lartë, koha më e gjatë e licencimit dhe në kushte të barabarta, kur shembull në të njëjtën datë janë licencuar dy kandidatë, përparësi t’i jepet kandidatit që ka punuar si vullnetarë në kohën e pandemisë Covid-19.

Pra, në kushte të barabarta të plotësimit të kritereve, kandidatët që kanë shërbyer vullnetarisht gjatë kohës së pandemisë kanë pasur përparësi.

Përzgjedhja e kandidatëve është bërë në atë mënyrë që së pari janë përfshirë specialistët e fushave të mjekësisë dhe mandej, sipas radhës, duke u renditur sipas kohës më të gjatë nga data e licencimit.

Dr. Jehona Krasniqi, bazuar në dosjen e saj të aplikimit, është licencuar me datë 25.09.2019.

Ministria e Shëndetësisë shpreh falënderimin më të veçantë për të gjithë ata që gjatë kohës së pandemisë Covid-19 e kanë vënë dijen dhe profesionalizimin e tyre në funksion të shërbimit të qytetarëve, kontribut ky që është legjitimuar edhe në këtë konkurs duke ju dhënë avantazh vullnetarëve në kushte të plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe, do t’i trajtoj me seriozitetin më të madh të gjitha ankesat që do të paraqiten nga cilido pjesëmarrës në konkurs, në Komisionin e ankesave të Ministrisë së Shëndetësisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat