Shoqëria civile në Kosovë e quan diskriminues ndaj komunitetit LGBTI projekt Kodin e ri Civil - Bota Sot
Shoqëria civile në Kosovë e quan diskriminues ndaj komunitetit LGBTI projekt Kodin e ri Civil

Aktuale

Shoqëria civile në Kosovë e quan diskriminues ndaj komunitetit LGBTI projekt Kodin e ri Civil

Më: 8 korrik 2020 Në ora: 18:16
Ilustrim

Dyzetenëntë organizata të shoqërisë civile në Kosovë, e cilësuan të mërkurën diskriminues projekt Kodin Civil i cili hap rrugë për rregullimin përmes një ligji të posaçëm të martesave ndërmjet personave të seksit të njëjtë.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi tha gjatë prezantimit të projekt Kodit Civil një ditë më parë se për herë të parë me këtë Kod “ne kemi mundur që ta ruajmë nukleusin tradicional të martesës që e kemi pasur, por format tjera të bashkësisë civile kemi paraparë që të rregullohen me ligj të veçantë. Ky rregullim si i tillë është i ngjashëm me praktikat që kanë zbatuar Sllovenia, Hungaria, Mali i Zi”.

Por, organizatat e shoqërisë civile thanë në një komunikatë të përbashkët se projekt Kodi synon të ndajë të drejtën për partneritet për personat LGBTI nga e drejta e të gjithë qytetarëve të tjerë të Kosovës.

“Projekt-Kodi Civil definon martesën si bashkësi ligjërisht të regjistruar ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme. Po ashtu, definon që Burri dhe Gruaja, kanë të drejtën të martohen dhe të formojnë familje. Më tej, Projekt-Kodi Civil parasheh mundësinë e krijimit të bashkimeve tjera civile me ligj të veçantë”, thuhet në këtë komunikatë duke nënvizuar se “të gjitha partneritetet e mundshme duhet të rregullohen me Kodin Civil dhe se qasja e të rregulluarit të partneriteteve tjera me ligje të posaçme është shkelje fundamentale e të drejtave të personave LGBTI në Kosovë, si dhe nuk paraqet gjithëpërfshirjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Sipas këtyre organizatave Kodi dështon të sigurojë njohjen ligjore të statutit të partneritetit të çifteve të sekseve të njëjta dhe ua mohon atyre të drejtën për të krijuar familje.

Lajmin për hapjen rrugës së rregullimit të martesave të çifteve të seksit të njëjtë e mirëpriti i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës e Serbisë, Richard Grenell.

“Kosova legalizon martesat e seksit të njëjtë. Faleminderit Selim Selimi”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ministri Selimi tha se hartimi i Kodit të ri Civil i cili duhet të miratohet në parlament “është vetëm hapi i parë”.

Kosova ka miratuar në vitin 2004 ligjin kundër diskriminimit dhe përfaqësues të të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBT thonë se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe të drejtat e komunitetit LGBT, por ky komunitet ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

Javën e kaluar Mali i Zi u bë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që miratoi në parlament projekt ligjin për martesat brenda seksit të njëjtë./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat