​Marrëveshjet ndërkombëtare pritet që sot të kalojnë në Kuvend

Aktuale

​Marrëveshjet ndërkombëtare pritet që sot të kalojnë në Kuvend

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 07:46
Kuvendi i Kosovës

Pas dështimit të votimit në të kaluarën, në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës pritet të marrin dritën e gjelbër pesë marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat vendit do t’ia sjellin miliona euro.

Kjo pasi Partia Demokratike e Kosovës u zotua të votojë të gjitha këto marrëveshje pasi më parë kishte refuzuar ta bënte një gjë të tillë. Kështu bëri të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza në një konferencë për media.

Ai tha se këtë vendim e kanë marrë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar dhe diskutimeve brenda strukturave të partisë.

“Ne kemi vendosur që t’i përkrahim dhe t’i votojmë të gjitha marrëveshjet financiare ndërkombëtare të cilat janë në rend dite në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Këto marrëveshje i përkrahim pa kushtëzime. Fatkeqësisht nuk kemi pasur një kërkesë dhe një qasje të duhur dhe pozitive edhe nga ana e qeverisë... Sidoqoftë ne i kemi negociuar një pjesë të këtyre marrëveshjeve financiare ndërkombëtare dhe ne në seancën e Kuvendit do t’i përkrahim dhe do të japim votën tonë për aprovimin e këtyre marrëveshjeve”, tha Hamza në një konferencë të thirrur për media gjatë së mërkurës.

Ndryshe nga PDK, grupi më i madh parlamentar Lëvizja Vetëvendosje nuk duket se ka ndryshuar qëndrim dhe se nuk do të votojë këto marrëveshje. Deputeti i kësaj partie, Hekuran Murati, gjatë së martës i tha KosovaPress-it përderisa koalicioni qeverisës ka pasur 2/3 të votave për rrëzimin e Qeverisë Kurti, le t’i votojnë edhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare.

“Ne kemi qartësuar qëndrimin tonë për këtë temë, pra i takon qeverisë t’i sigurojë votat, qeverisë që është në fuqi, ku e kemi parë sa herë që nuk i ka votat, mirëpo kur ishte puna për të rrëzuar një qeveri legjitime me mbështetje popullore u çuan e rrëzuan midis pandemisë dhe i siguruan votat. Madje, me krenari e kanë cekur disa herë që e kanë rrëzuar qeverinë me 82 vota. Kështu që për ta krejt çka është dashtë të bëhet, është me përdorë formulën e njëjtë, edhe t’i sigurojnë ato 82 vota për t’i kaluar marrëveshjet. Qëndrimi ka qenë i qartë i yni, çdo projektligj apo nismë që sponsorizohet prej qeverisë ilegale dhe jo legjitime nuk e ka mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, ka të bëjë me legjitimitet dhe legalitet. Nuk ka të bëjë me marrëveshjet në fjalë”, deklaroi ai.

Në rend ditë për seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës janë të parapara:

Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat